Zyrtari i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, sot përfundoi në pranga bashkë me kolegun e tij, Hafiz Gara. Arrestimi i tyre erdhi pas një aksioni të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, raporton Gazeta Sinjali.
E Lipovica si duke është një ndër të përkëdhelurit e shefes së këtij dikasteri. Rozeta Hajdari e cila udhëheq me MINT-in, kishte favorizuar Lipovicën duke ia ndarë 12 mijë euro për shkollim të nivelit master në RIT Kosova (AUK), i cili është i vetmi institucion në vend që lëshon diploma amerikane.
Siç raportonte Periskopi vitin e shkuar, paratë e ndara për shkollimin e Lipovicës që atëherë mbante pozitën e sekretarit,, nuk janë të ndonjë fondi për ngritjen e kuadrove profesionale të Ministrisë, por të projekti CERP – për të cilin projekt Qeveria ka marrë kredi për të përkrahur bizneset prodhuese.
“Sekretarit i është aprovuar nga ministrja Rozeta Hajdari një trajnim në fund të vitit të kaluar, mirëpo ky trajnim ka rezultuar se ishte shkollimi Master në RIK-AUK dhe për të cilin shkollim është bërë kontrata nga MINT me fakultetin RIT-AUK në vlerë 12.000 euro dhe këto mjete janë paguar nga projekti CERP për të cilin projekt Qeveria ka marr kredi për të përkrahur bizneset prodhuese. Kësti i parë i pagesës në vlerë prej 4000 euro është paguar nga projekti për shkollimin master”, kishte bërë të ditur burimi brenda MINT-it.
Lipovica ishte deklaruar shkurt për këtë çështje, duke thënë se ‘nuk është bash qashtu’.
Zyrtarët e lartë publik janë të detyruar që të bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Nga pozita e sekretarit, Lipovica në deklarimin e pasurisë më 23.03.2021, te rubrika “detyrimet financiare ndaj personave juridik dhe fizik”, pati shkruar se ka detyrime në vlerë prej 12 mijë eurove ndaj RIT Kosova.

Me të ardhur në krye të MTI-së në vitin 2011, Mimoza Kusari -Lila e kishte emëruar Irfan Lipovicën si Drejtor të Departamentit të Turizmit.
Këtë pozitë e ka mbajtur prej 2011-tës deri në vitin 2020.
Postin e ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari e kishe marrë në vitin 2020 në Qeverinë Kuri -I dhe Lipovicën e kishte emëruar menjëherë U.D të Sekretarit e më pas Zëvendesues të Sekretarit të Përgjithshëm.
Lipovica u shkarkua nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në MINT në maj të këtij viti dhe i njëjti u kthye në pozitën që ka pasur më herët, si shef i Departamentit të Integrimeve Evropiane.
Projekti CERP
Implementimi i Projekti CERP, nga i cili i janë paguar studimet Lipovicës, ka nisur në dhjetor të vitit 2018, për të cilin ishte thënë se ka një afat kohorë prej 5 viteve. Pra deri në dhjetor 2023.
MINT është përgjegjëse për Implementimin e Projektit të Konkurueshmerisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP), 14,3 milionë euro, i financuar me hua – kredi të butë nga Banka Botërore. Qëllimi i projektit CERP është të mbështesë certifikimin e produkteve për tregjet e eksportit, të forcojë kapacitetin e Bizneseve të orientuara kah eksporti, dhe të përmirësojë Konkurrueshmërinë e tyre. Më pas, projekti është ristrukturuar për t’iu përgjigjur nevojave në ndryshim të NMVM-ve, si rezultat i situatës së krijuar me COVID-19.
Projekti CERP përbëhet nga dy komponente: Nën komponenti 1.1: Mbështetja e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) për të përmirësuar Konkurrueshmërinë dhe gatishmërinë për eksport (10,4 milionë euro) nëpër mes Programit të Granteve të Përputhshme (PGP)./Sinjali