UEFA ka njoftuar se ndeshja e parë ndërmjet Real Sociedadit dhe Manchester United e vlefshme për fazën 1/32 të Europa League do të zhvillohet në “Allianz Stadium” në Torino.
Për shkak të kufizimeve aktuale të koronavirusit, ndeshja është zhvendosur nga Spanja në Itali dhe do të zhvillohet në të njëjtën datë dhe kohë, përcjell KosovaPress.
Më 18 shkurt në orën 17.55 me kohën e Mbretërisë së Bashkuar, gjigantët anglezë do të luajnë kështu ndeshjen e tyre si mysafir kundër Sociedadit në Torino.
Arsyeja është se kufizimet e koronavirusit nuk lejojnë që njerëzit nga Mbretëria e Bashkuar të hyjnë në Spanjë.
UEFA ka falënderuar të dy klubet për bashkëpunimin përmes deklarate dhe Federatën Italiane dhe Juventusin për rënien dakord për të organizuar ndeshjen në fjalë./KosovaPress