Prindon Sadriu nga viti 2019 është Kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës. Qëndrimi i tij në këtë pozitë është në kundërshtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Pas përfundimit të mandatit diplomatik në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu është emëruar Drejtor i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Më 27 korrik 2019, Prindon Sadriu bashkë me dy të tjerë, Premtim Rashitin dhe Uran Kurtishin, kanë themeluar Shoqatën e Ushtarakëve Rezervë të Kosovës. Bazuar në regjistrimin e saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, kryetar aty figuron Prindon Sadriu. Lidhur me qëndrimin e tij si kryetar në kundërshtim me ligjin, Demokracia ka raportuar gjatë ditës së djeshme.
Redaksia ka pranuar sot edhe një interpretim ligjor nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) lidhur me mëdyshjet nëse Sadriu ndodhet në konflikt të interesit si zyrtar i lartë shtetëror dhe si kryetar i shoqatës në të njëjtën kohë.
Në përgjigjën e saj, AKP-ja konfirmon për Demokracia.com se një situatë e tillë është shkelje ligjore.
“Referuar pyetjeve tuaja të parashtruara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, njoftoheni si në vijim: Sipas Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik (Nr.06/L-011), zyrtarët e lartë mund të jenë pjesë e organizatave jo qeveritare, me përjashtim të funksionit drejtues në to. D.m.th. anëtarësia nuk është e ndaluar, por kufizim për ta janë funksionet drejtuese në to. Kjo rregull saktësisht është e dhënë në nenin 14, paragrafi 1 dhe atë si vijon: Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to. Ndërsa, përveç kufizimit për funksionet drejtuese, Organizata jo qeveritare me zyrtarë publik në radhët e saja ka edhe një kufizim tjetër sa i takon përfitimit të fondeve, dhe atë si në paragrafin dy të nenit 14, që shprehimisht thotë: 2. Organizata joqeveritare sipas paragrafit 1. të këtij neni nuk ka të drejtë të lidhë kontratë ose të përfitojë fonde nga institucioni ku ushtron detyrën zyrtari që është anëtar i organit drejtues në këtë organizatë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Demokracia.com.
Siç shihet në përgjigjen e AKP-së, e cila thotë se “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues”, atëherë bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, ka vite që po qëndron kundërligjshëm si Kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës.
Demokracia.com ka gjetur se në vitin 2019, Prindon Sadriu bashkë me dy të tjerë kishin themeluar Shoqatën e Ushtarakëve Rezervë të Kosovës. Bazuar në regjistrimin e saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, kryetar ishte caktuar Prindon Sadriu.
Bashkëshorti i presidentes Osmani nuk e ka deklaruar këtë pozitë asnjëherë në deklarimin e rregullt vjetor për çka ka qenë i obliguar, pasi që mban post të lartë publik.
Demokracia.com ka shfletuar deklarimet e pasurisë nga viti 2019 dhe deri më tani të Sadriut, por në asnjërën prej tyre nuk figuron posti i kryetarit në këtë shoqatë dhe kjo është shkelje ligjore.
Pas përfundimit të mandatit diplomatik në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu është emëruar Drejtor i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. /Demokracia.com/