“Zoja Deliu Kodra s’ka qare pa i kthy paret” – Deputetja e PDK-së padit Albulena Haxhiun për shpifje

- in Lajme

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, ka ushtruar padi ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Deliu Kodra ka bërë me dije se sot ka dorëzuar në Gjykatë padinë ndaj Haxhiut, të cilën e akuzon për shpifje.

“Tendenca që me shpifje dhe fyerje ndaj opozitës me e zhvendosë vëmendjen nga skandalet korruptive të kësaj qeverie, nuk kalon. As nuk frikësohemi e as nuk zmbrapsemi nga angazhimi ynë për të denoncuar krimin dhe korrupsionin e këtij pushteti”, shkroi ajo.

Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës, ministrja Haxhiu ka akuzuar deputeten e PDK-së se ka përfituar kundërligjshëm para. Sipas saj, Deliu Kodra ka marrë mbi 2 mijë e 500 euro pa marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

“Komisioni për Kompensimin e viktimave të krimit i kompenson viktimat e krimit që aplikojnë për kompensim. Kjo edhe përkundër faktit që ma shumë s’ka shku në mbledhje se sa që ka shku, i ka marrë dmth pare ma shumë se 2 mijë euro. Edhe qëtu. Dmth, me ligj paguhesh vec nëse shkon në Komision. Ajo s’ka shku edhe ka pagu. Kur i dalin në muaj 200 euro, se na tash kemi me i vlerësu edhe zyrtarët që konsiderohen që kanë tejkalu mandatin, e kanë shkelë detyrën zyrtare, po kur i del 250 euro ma shumë, a hiç nuk s’ta pren menja me thanë kadal bre, kah po më vijnë qëto pare? Ku po më vijnë qëto pare? Se mu me më dalë 50 euro ma shumë unë e di që dicka ka ndodhë. E kqyri llogarinë kush m’i ka qitë 50 euro. Kësaj edhe pse i kanë dalë 250 euro në muaj ma shumë, nuk i ka raportu. Kjo mundet me thanëm m’i keni qitë. Për punën që s’e ka ba në Komision, i ka marrë mbi 2 mijë e 500 euro. Lun rol sepse është keqpërdorim. Për mu është keqpërdorim. Sepse ke marrë 2 mijë e 500 euro pare të qytetarëve të Republikës së Kosovës edhe s’ke bo zo. Qëkjo për mu është hajni. Qëkjo është vjedhje. Pse s’e qet Blerta Deliu fotografinë e vet aty? Psh mu, me i marrë 250 euro pa punu është problem, sepse e kom keqpërdorë detyrën nëse m’i kish qitë 250 euro pa shku në Komision, unë i kisha thanë a po i tërheq? Zoja Deliu Kodra s’ka qare pa i kthy paret që janë të Ministrisë së Drejtësisë dhe buxhetit të shtetit”, ka thënë Haxhiu në emisionin Context në ATV, duke paralajmëruar padi ndaj deputetes së PDK-së.

/GazetaSinjali/