Zjarri në depon e barnave, dyshohet se rryma mund të jetë shkaktar

- in Lajme
Screenshot

Sot rreth orës 09:30 të mëngjesit depoja e barnave “Koslabor” në magjistralen Prishtinë-Ferizaj është përfshirë nga zjarri.

Bazuar në të dhënat e deritanishme nuk ka të lënduar dhe se janë shkaktuar vetëm dëme materiale, kurse shkaktari i zjarrit ende nuk dihet.

Vëllai i pronarit të këtij objekti, Shefki Mehmeti, për media ka deklaruar se qiramarrësit kanë thënë që shkaktar mund të jetë rryma. E sipas tij, vlera e dëmit material të objektit është milionëshe.

“Nuk dihet ende, por qiramarrësit po thonë që nga rryma. Objekti është milionësh, ndërsa për material nuk e di, është një shumë e madhe sepse ka qenë i stërngarkuar… Ka pas njerëz brenda po për fat nuk ka asnjë të lënduar” ka thënë Mehmeti, raporton KosovaPress.

Ndërsa, shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi ka shtuar se pjesa mbrapa objektit ka qenë e përfshirë nga zjarri dhe gjasat ishin të vogla që të parandalohej, por synimi i zjarrfikësve ishte që të mos lihet zjarri të përhapet në dy objektet përreth saj.

Ai theksoi se fabrika nuk ka pasur masa për mbrojtje nga zjarri.

“Rreth orës 09:54 jemi informuar për zjarrin. Ka edhe pajisje mjekësore për të cilat ne nuk e dimë çfarë lënde është djegëse apo jo. Kur kemi ardhur, krejt pjesa mbrapa ka qenë e përfshirë nga zjarri, faza e zhvillimit ishte tepër e lartë dhe gjasat shumë të vogla për të parandaluar zjarrin. E gjithë puna është bërë që të mos të lihet zjarri të përhapet në dy objektet përreth saj. Siç po shihet, fare nuk ka masa për mbrojtje nga zjarri”, ka shtuar Gashi./Demokracia