Një vit para zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, ish-presidenti Donald Trump kryeson ngushtë me 49% në një sondazh të kryer nga CNN përballë Presidentit Joe Biden, i cili gëzon mbështetjen e 45% të votuesve të regjistruar.
Ajo çka bie në sy në garën e mundshme mes Biden dhe Trump, është se asnjëri nga kandidatët nuk është rritur në krahasim me sondazhin parardhës nga e njëjta kompani.
Gjithsesi, 51% e votuesve në mbarë Amerikën thonë se nuk ka asnjë shans që ata të votojnë për Biden. Pothuajse gjysma, 48%, thonë se nuk ka asnjë shans që të votojnë për Trumpin, dhe vetëm 2% që nuk po e mbështesin aktualisht thonë se mund ta votojnë.
Mbështetja e Biden në sondazh është dukshëm më e dobët në mesin e disa grupeve, ku në zgjedhjet e 2020 ai fitoi me diferencë të madhe. Ndër votuesit më të rinj se 35 vjeç, 48% mbështesin Trumpin dhe 47% Biden.

Të gjitha këto diferenca pasqyrojnë rënie të ndjeshme të mbështetjes për Biden në krahasim me exit poll-et e vitit 2020. Tanimë vetëm ¼ e amerikanëve (25%) thonë se Biden ka qëndrueshmëri dhe mprehtësi për të shërbyer në mënyrë efektive si president, ndërsa 53% mendojnë se Trump është i aftë të qeverisë si duhet.
Ajo çka është shqetësuese, lidhet me faktin se vetëm gjysma e demokratëve (51%) thonë se Biden ka mprehtësinë dhe qëndrueshmërinë për të shërbyer, krahasuar me 90% të republikanëve që rreshtohen në krah të Trump.
Performanca e punës së Biden në Shtëpinë e Bardhë aktualisht tërheq kundërshtime shumë më intensive sesa mbështetje të pasionuar. Kjo pasi, 42% e amerikanëve nuk e miratojnë fuqimisht performancën e tij, me vetëm 14% që e miratojnë fuqishëm. Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka të njëjtin vlerësim si Biden, 39% e miratojnë, ndërsa 61% nuk e miratojnë.
Sondazhi i ri po ashtu zbulon se 72% e të gjithë amerikanëve besojnë se gjërat në vend sot po shkojnë keq.
Shifrat në tërësi tregojnë se shanset për rizgjedhjen e Biden janë të ulëta dhe goditen nga vlerësimet thellësisht negative të miratimit, një ndjenjë e ndenjur se gjërat po shkojnë keq në Shtetet e Bashkuara, pakësimi i mbështetjes midis blloqeve kryesore të votuesve dhe një ndjenjë e përhapur se ai nuk është i gatshëm për këtë detyrë.
/Demokracia