Zgjedhjet e brendshme në VV: Pritet ‘garë e ashpër’ për kryetar të partisë së Kurtit

- in Lajme

Partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, pritet që së shpejti të kalojë nëpër një fazë të një ristrukturimi të brendshëm, nëpërmjet një procesi të brendshëm zgjedhor. Ndonëse në afat të shtyrë, Lëvizja Vetëvendosje! ka filluar të shpall zgjedhje të brendshme nëpër degë të ndryshme nëpër Kosovë, e kështu së shpejti pritet të bëjë edhe në nivel qendror.

Njohësit e rrethanave politike, të cilën kanë përcjell zhvillimet brenda kësaj partie, nuk presin ndonjë befasi nga ky proces zgjedhor.

Ish-aktivisti i LV-së, Frashër Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet në LV-së janë një farsë e madhe.

Ai ka deklaruar për gazetën Nacionale se nuk mund ta dijë nëse ky proces do të sjell ndonjë  përçarje në parti, duke shtuar se këto zgjedhje nuk mund dhe nuk do ta ristrukturojnë LV-në.

“Nuk e di nëse ky proces mund të krijoj përçarje, por çka e di sigurt është se zgjedhjet në VV janë në thelb një farsë pseudo-demokratike, që nuk prodhon asgjë më shumë se sa rikonfirmim të mënyrës së organizimit të përqendruar tek lideri dhe mendësia autoritare e totalitare e funksionimit të partisë,” ka deklaruar Krasniqi.

Kurse, Gazmir Raci, analist politik, ka deklaruar se LVV-ja duhet të shfrytëzojë këto zgjedhje për t’i hapur rrugë njerëzve të ri profesional.

Sipas tij, tani votuesi është vetëdijesuar dhe ka votë vetëm për njerëz profesional e me plane për zhvillim. “Pas rezultatit të keq nga zgjedhjet lokale, LVV duhet të gjej rrugën dhe mundësinë që përmes zgjedhjeve të brendshme të hapë rrugë për njerëz profesionalë dhe të duhur për qendrat e tyre lokale sepse votuesit tashmë janë vetëdijesuar dhe votën e tyre e japin për njerëz të besuar e që kanë plane konkrete zhvillimore në qeverisje lokale por edhe qendrore,” ka thënë Raci për gazetën Nacionale.

Me tej, ai ka vlerësuar se LVV-ja nuk duhet të injorojë zërin e aktivistit të vërtetë, siç ka bërë deri më tani.

Gazeta Nacionale ka tentuar të marrë një qëndrim për këtë proces të brendshëm zgjedhor edhe nga Alim Rama, anëtar i LV-së në KQZ, i cili ka marrë përgjegjësi edhe për procesion e brendshëm zgjedhor, por ai nuk është përgjigjur në interesimin e gazetës.

Fillimisht, ai ka thënë se gjendet jashtë vendit, ndërsa, më pas ai nuk e ka hapur telefonin.

Pas zgjedhjeve lokale, në të cilat partia në pushtet nuk kishte marrë rezultat të mirë, kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar ndryshëm në parti.

Më 16 nëntor të vitit të kaluar, ai  kishte deklaruar se brenda partisë së tij po ka probleme të brendshme organizative e strukturore.

“Ajo që tashmë është e qartë është se në subjektin tonë politik që është rritur tej mase në 3-4 vitet e fundit ka defekte strukturore dhe organizative. Nuk kemi struktura që i përgjigjen madhësisë. Ka defekte të brendshme,” ishte shprehur kryeministri Kurti.

Zakonisht, proceset e mirëfillta dhe demokratike zgjedhore i japin freski dhe cilës strukturave partie. Sigurisht, edhe Kurti po përpiqet të kalojë nëpër një proces të brendshëm zgjedhor, për të përmbushur obligimin që kanë nga KQZ-ja dhe për ta rifreskuar partinë e tij, në mënyrë që ajo t’i përgjigjet madhësisë elektorale.

Në fund të vitit të kaluar, përmes një komunikate për medie LV-ja kishte treguar se ka shpallur zgjedhjet e brendshme. “Në mbledhjen e përbashkët me qendrat u fol edhe për zgjedhjet e brendshme të cilat do të rinisin në fillimvitin që po vjen, të cilat ishin ndërprerë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Të gjitha qendrat ishin njëzëri dakord për të filluar procesin e brendshëm zgjedhor prej nga do të dalim edhe më të fuqishëm edhe më të organizuar. Mbështetjes dhe rritjes së madhe të LV-së duhet t’ja mbështesim një organizatë edhe më të fortë”, ishte thënë në komunikatë.

Por, në fillim të këtij viti, KQZ-ja kishte miratuar kërkesat e 6 partive politike për shtyrjen e kuvendeve të tyre zgjedhore për shkak të gjendjes pandemike dhe masave kufizuese për tubimet.

Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar nga KQZ-ja që kuvendin e saj zgjedhor ta shtyjë për 30 tetor të këtij viti.

Pas rezultateve të dobëta që kishin marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2020, PDK-ja dhe LDK-ja kishin reflektuar. Këto dy parti kishin mbajtur zgjedhjet e brendshme, ku kishin zgjedhur kryetarët e tyre te rinj.

Se fundi, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka filluar procesin e brendshëm zgjedhor./Nacionale