Zgjedhjet afër, a është e dëshpëruar VV që të bëjë çmos për anëtarësim në KiE deri në fund të mandatit?

- in Lajme

Deri në fund të vitit 2024, Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet parlamentare. Për këta tre vjet, kur Lëvizja Vetëvendosje e ka udhëhequr vendin, ndoshta ngjarja më e madhe që ka ndodhur është liberalizimi i vizave. Qeveria Kurti s’ka përmbushur asnjë kriter për këtë. Megjithatë, meritat ia la vetes në fund. Shteti ynë ndodhet para një momenti tjetër aktualisht – anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Shtrohet pyetja se a është VV-ja e dëshpëruar që të bëjë çmos që Kosova të anëtarësohet në këtë institucion e, rrjedhimisht, edhe t’i marrë meritat deri në fund të mandatit?

Siç kemi raportuar për një javë rresht, disa burime i kanë konfirmuar Nacionales se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti e ka zbutur qëndrimin në lidhje me vendimin për Manastirin e Deçanit, çështje që duket se është bërë kusht për anëtarësim në KiE.

Topi është te Komuna e Deçanit, ndaj së cilës ekzekutivi po kërkon të lëshojë pe, siç po bëjnë edhe ata, në lidhje me 24 hektarë tokë, për të cilët, në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese vendosi se i takojnë manastirit.

Raporti

Theodora Bakoyannis, deputetja greke e Asamblesë Parlamentare të KiE-së është raportuese për aplikimin e anëtarësimit të Kosovës. Ajo pritet që të përpilojë një raport mbi përmbushjen e kërkesave të Kosovë, të cilin më pas do t’ia dërgojë komisionit kompetent për diskutim dhe miratim.

Ditëve të fundit, ka pasur raportime se ky raport ka përfunduar e madje edhe është prezantuar. Megjithatë, një zëdhënës i KiE-së i ka thënë Nacionales se raporti nuk është finalizuar dhe se diskutimet do të vazhdojnë brenda Komitetit për Politikë.

Megjithatë, siç është konfirmuar për Nacionalen, të martën znj. Bakoyannis ka prezantuar një “shënim informacioni” para Komitetit për Çështje Politike.

“…të martën, raportuesja Bakoyannis ka prezantuar një shënim informacioni para Komitetit për Çështje Politike, i cili më pas ka shkëmbyer pikëpamjet në lidhje me këtë. Nuk është marrë asnjë vendim nga komiteti dhe informacioni nuk është bërë publik.” – na tha ai.

Cilët janë hapat e radhës?

Zëdhënësi i KiE-së na njoftoi se takimi i radhës i komitetit pritet të mbahet në prill, diku mes datave 15 – 19 prill 2024. Ende nuk ka një agjendë zyrtare.

Pasi Komiteti për Çështje Politike të miratojë një draft të opinionit, dy komitete të tjera, ai për Çështje të Punëve Ligjore dhe ai për Çështje Barazie, do ta japin më pas pikëpamjen e tyre rreth kësaj.

Puna e tri komiteteve së bashku do të debatohet në seancën e Asamblesë, që çon në miratimin e një opinioni të Asamblesë për te Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës.

Vendimi final për aplikimin e Kosovës për anëtarësim merret nga Komiteti i Ministrave.

Manastiri i Deçanit

Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjen e Nacionales se a mund të konfirmojnë zyrtarisht që e ka zbutur qëndrimin rreth vendimit për Manastirin e Deçanit.

Pikërisht këtë vendim kryeministri Kurti e kishte cilësuar si “vendim të regjimit të Millosheviqit”, duke e shprehur haptas rezervën në lidhje me të.

“Unë e kuptoj që Manastiri i Deçanit duhet të ketë një hapësirë, unë e kuptoj që kanë nevojë për qetësinë e ambientit, ndihmën e Qeverisë së RKS-së, mirëpo ne kemi rezervën e zakonshme për vendimet e regjimet e Millosheviqit, të cilat për bindjen time janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar në faza të zakonshme. Me ç’rast nuk duam t’i dominojmë, por në të njëjtën kohë besoj se duhet të hasim në mirëkuptimin e tyre, se vendimet e regjimit të Millosheviqit nuk mund të jetojnë në shekullin tonë” – kishte thënë ai.

Siç ka raportuar edhe më herët Nacionale, VV-ja ka kundërshtuar fuqishëm një vendim të tillë edhe para gati një dekade, atëherë edhe kur u publikua aktgjykimi. Tash, pranë zgjedhjeve të radhës parlamentare, VV-ja do t’i merrte sërish meritat në rast të një anëtarësimi të mundshëm në KiE.

Në anën tjetër, autoritetet lokale në Deçan refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që të regjistrojë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse mendojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve sociale “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i ka takuar asnjëherë manastirit.

Ato vlerësojnë, gjithashtu, se Gjykata Kushtetuese e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit. Pikërisht mbi këto pretendime shpesh thirren edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./Demokracia