Zemaj për Vitinë: Keq pa ministër edhe më keq me ministër të shëndetësisë

- in Shëndetësi

Ish-ministri i Shëndetësisë tash deputet i LDK-së, Armend Zemaj, nuk po e vëren dallimin pas emërimit të Arbën Vitisë në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.

Ai ka thënë se keq ishte kur nuk kishim ministër dhe sipas tij tash është edhe më keq me ministër të shëndetësisë.

Zemaj ka shkruar në Facebook se shëndeti i qytetarëve është në rrezik dhe se Qeveria Kurti nuk është e aftë për menaxhim.

“Kjo Qeveri nuk ka të ndalur në degradimin e sektorit më jetik – sektorit të shëndetësisë. Degradimin e shëndetësisë e ka shndërruar në normalitet.”, ka shkruar ai ndër të tjera të dielën në Facebook.

Ai ka përmendur mungesën e barnave, ikjen e mjekëve dhe probleme të tjera më të cilat ballafaqohet ky sektor.

Shkrimi i plotë i Zemajt:

Keq pa ministër edhe më keq me ministër të shëndetësisë.

Shëndeti i qytetarëve është në rrezik të vazhdueshëm nga paaftësia menaxheriale e kësaj Qeveri.

Kjo Qeveri nuk ka të ndalur në degradimin e sektorit më jetik – sektorit të shëndetësisë. Degradimin e shëndetësisë e ka shndërruar në normalitet.

Barnat mungojnë pothuajse në të gjitha klinikat, gjersa 1.3 milion euro të destinuara për blerje të barnave shkojnë në suficit. Mungojnë barnat më elementare e deri te ato që do të duhej të siguroheshin për pacientët me sëmundje të kancerit.

Nuk duhet harruar se, 365 mjek të rinj, 630 infermierë, si dhe mbi 60 mjek specialistë kanë ikur nga sektori publik i shëndetësisë gjatë kësaj Qeverie. Ndërkaq, lista e pritjes për pacientët që presin të marrin shërbimet e nevojshme po rritet frikshëm deri në pafundësi.

Katandisja e sektorit të shëndetësisë ka adresë dhe përgjegjës; Qeverinë e paaftë, e cila menaxhoj keq pa ministër, ndërsa edhe më keq me ministër.

/GazetaSinjali/