Vulin çmendet nga deklaratat e Klitschkos, i cili tha se ‘po luftojnë sikur Kosova kundër Serbisë’

- in Lajme

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin i ka reaguar ashpër kryetarit të Kyivit, Vitali Klitschko, i cili siç raportoi gazeta shqiptare në Zvicër, Le Canton 27.ch, tha se do të çlirohen nga Rusia siç u çlirua Kosova nga Serbia.

Vulin pretendon se Klitschko s’e njeh historinë.

Duke komentuar deklaratat e Klitschkos se “ukrainasit po luftojnë kundër okupatorit rus, ashtu siç luftonin shqiptarët kundër okupatorit serb”, Vulin tha në një deklaratë me shkrim se ai që e krahason Donbasin dhe Kosovën “duhet të jetë i gatshëm t’i shkojë deri në fund krahasimit”.

“Nëse Klitschko pretendon se shqiptarët u pushtuan dhe se e larguan Serbinë dhe okupatorin serb me rebelim të armatosur, atëherë edhe rusët në Donbas janë të okupuar dhe kanë të drejtë ta heqin qafe okupatorin ukrainas”, tha Vulin.

Sipas tij, atë që Klitschko ua njeh shqiptarëve, do të duhet t’ua njohë edhe rusëve në Ukrainë, raporton gazeta serbe, Danas.