Vuçiq thotë se dje ndodhi fitorja domethënëse për Serbinë: Na kanë përkrahur Mozambiku, Sierra Leone, Algjeria

- in Lajme

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është i kënaqur me atë që ka dëgjuar në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ka theksuar se mesazhet e Serbisë “janë thelbësore, të qarta, të përgjegjshme dhe serioze”.

“Sido që ta shikoni, kjo është një fitore e vogël por domethënëse për Serbinë”, ka pretenduar presidenti serb.

Ai ka thënë se është i kënaqur me “atë që kemi dëgjuar në seancën e Këshillit të Sigurimit”.

Sipas tij, ai ende nuk e ka analizuar seancën, por mendon se në anën serbe ishin shtatë nga 15 shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Jam i kënaqur me atë që kemi dëgjuar. Britania e Madhe dhe Zvicra ishin më të ashprat ndaj nesh dhe më së shumti në anën e Prishtinës. Paraqitjet e Algjerisë, Kinës, Rusisë, Ekuadorit, Sierra Leones dhe Mozambikut ishin të jashtëzakonshme”, ka pretenduar Vuçiqi.

Ai ka shtuar se janë të sakta edhe deklaratat e Koresë dhe Maltës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai gjithashtu ka pretenduar se më e rëndësishmja është “që kemi folur me fakte për atë që po ndodh në Kosovë”.

“Natyrisht, kjo nuk do t’i zgjidhë problemet në Kosovë, nesër përsëri nuk do të mund të transferojmë atje dinarë, por njerëzit tanë duhet ta dinë se ne do të luftojmë për ta, ashtu siç do të luftojmë për të vërtetën gjithmonë dhe gjithë jetën tonë”, i përsëritë Vuçiqi frazat me të cilat i mbanë në kontroll serbët e Kosovës.

“Jam krenar për Serbinë, Serbinë e të gjithë neve, e cila guxon të sillet seriozisht dhe me përgjegjësi, por guxon të ruajë frymën e lirisë dhe të thotë të vërtetën dhe të mbrojë vendin e saj dhe të mbrojë të ardhmen e saj”, ka vazhduar me të njëjtën frymë Vuçiq, dhe ka përfunduar duke u mburrur: “Treguam se jemi të gatshëm të luftojmë për Serbinë”./Demokracia