Vuçiq luan “heroin”: Reduktimet në Kosovë do të vrasin njerëz, ne mund t’ju dhurojmë rrymë

- in Rajoni dhe Bota

 Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka tentuar të luaj “heroin”, në kohën kur qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Ai ka thënë se mund t’i dhurojë rrymë vendit, pasi që sipas tij, ndërprerjet mund të vrasin njerëz.

Këto deklarata, Vuçiq i bëri sot në një konferencë për media, ku tha se në Kosovë, rryma po ndalet për çdo ditë.

“Në Kosovë çdo ditë e ndalin rrymën, eja të provojmë e të ndihojmë, të kursejmë pesë ose dhjetë ditë. Këto ndërprerje do të vrasin njerëz, do të vrasin makineritë në shtëpi. Eja të provojmë e të kursejmë, pesë apo dhjetë ditë”, tha ai.

Duke folur për reduktimet, për të cilat ai tha se ndikojnë edhe te serbët, e edhe të shqiptarët, Vuçiq i ofroi rrymë Kosovës, transmeton Nacionale.

“Nëse ne mund t’ju japim energji elektrike kur e kemi, atëherë le t’ua japim. Le të flasim për këtë, dhe jo vetëm të flasim se Vuçiqi nuk është i gatshëm për normalizimin dhe se nuk jam ende i gatshëm që ta njoh pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

Reduktimet në Kosovë

Sot janë bërë 10 ditë që kur kanë filluar reduktimet e rrymës në Kosovë, të cilat çdo herë e më shumë po shkaktojnë telashe për qytetarët e bizneset.

Më 14 gusht, KEDS paralajmëroi kufizimet e energjisë elektrike, që sipas tyre, erdhën pasi që nuk kanë mundësi financiare më që të nominojnë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.

“KEDS njofton që ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës. Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumtorët. Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

Deri më tani, janë parë reagime të shumta të qytetarëve që kanë mbetur në ashensor, kurse para disa ditësh, një grua në Fushë-Kosovë mbeti e lënduar rëndë, për shkak se ashensori u lëshua me shpejtësi kur u ndal rryma.

Përveç kësaj, reduktimet nuk e kanë një orë fikse, gjë që po shkakton edhe konfuzion te qytetarët.

Njëjtë, edhe bizneset janë prekur shumë nga ndërprerja e energjisë elektrike, duke u detyruar kështu të pajisen me gjeneratorë.

Për të marrë vesh se pse po ndodhnin këto ndalje të papritura të rrymës, në orë jo-fikse, Nacionalja çoi pyetje te zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

“Për shkak të volumit (vëllimit) të madh të shkyçjeve dhe rikyçjeve, ato mund të vonohen disa minuta. Por, parimi i dy orëve po respektohet. Pra, ndodh që në vend se të fillojë kufizimi për një dalje nga ora 10:00 mund të fillojë nga ora 10:00, por rikthimi pastaj nuk vonohet më tepër se në 12:10,” – pretendoi ai.

Reduktimet, aktualisht janë 6 me 2, pra dy orë pa energji elektrike. Përveç dy ditëve kur Shqipëria i doli në ndihmë Kosovës, gjatë kohës së tjetër vendi ka vazhduar të përballet me mungesë të rrymës.

Për reduktimet, foli më në fund sot edhe kryeministri Albin Kurti. Ai tha se po bëjnë maksimumin për ta rregulluar këtë situatë, por nuk tregoi se edhe sa do të vazhdojë kjo situatë.

“Në ditën kur kanë filluar reduktimet, konsumi i energjisë ka qenë 240 megavat në orë, më shumë sesa prodhimi. Pra, konsumin e kemi pasur për 240 megavat orë më shumë sesa gjenerimi. Çmimi në HUPX (Berzën hungareze të Energjisë) ka qenë rreth 430 euro për megavat orë. Importi është shumë i kushtueshëm dhe pa këto masa është i papërballueshëm në dimër…Po bëjnë çmos që reduktimet të ndalen. Ministria e Ekonomisë ka propozuar një listë masash të cilat do të zbatohen së shpejti…”, ka thënë Kurti./Nacionale