Vrasja e mbrëmshme në Pejë ka tronditur gjithë Kosovën, ku të vdekur mbetën kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i po kësaj partie, Blerand Kadrijaj.
Telegrafi mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj dhe Prokurorja e Rastit, Valbona Haxhosaj.
Ndryshe, për vrasjen e dyfishtë në Pejë kanë reaguar liderët e institucioneve dhe partive politike, duke kërkuar nga organet e hetuesisë që të zbardhet rasti sa më shpejt.
Përveç Kryeprokurorit dhe prokurores në vendin e ngjarjes shihen numër i madh i hetuesve policor.
Të mërkurën mbrëma, dy zyrtarë të lartë të PDK-së, kandidati për kryetar të Komunës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj, pas një konflikti, janë gjuajtur me armë zjarri ku dhe kanë mbetur të vdekur.
Po ashtu vëllai i Astritit, Avniu, është plagosur, i cili sipas mjekut kujdestar në spitalin e Pejës, është rrezikut për jetë
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka konfirmuar për Telegrafin se ngjarja ka ndodhur rreth orës 20: 20, afër Shkollës së Mesme “Ali Hadri”.
Pas patrullimi në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dy revole dhe disa fishekë, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë aktit.
Lidhur me ngjarjen, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka treguar se familja Ademaj kishte probleme të mëhershme me familjen Kadrijaj dhe sipas informatave jozyrtare, të dy viktimat janë takuar sonte për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet e mëhershme.
Muhaxheri nuk ka dhënë detaje se çfarë problemesh kanë pasur, por që ka thënë se kjo nuk ndërlidhet me motive politike.
“Është një rast tragjik që ka ndodhur në qytetin e Pejës, janë vrarë dy djem të rinj. Nga informatat e para që i kemi ka qenë një konflikt momental, por që ka qenë edhe më i hershëm dhe ngjarja ka ndodhur para shtëpisë së vëllezërve Ademaj. E kanë pasur një konflikt të më hershëm dhe sonte janë takuar për të zgjidhur problemet mes tyre. Kanë qenë në lokalin e familjes Ademaj”, ka thënë Muhaxheri.
Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një komunikate ka thënë se janë të tronditur nga lajmi tragjik për vrasjen e dyfishtë në qytetin e Pejës.