Von Cramon: Vizat punë e kryer, të gjitha qeveritë në Kosovë punuan për këtë arritje

- in Lajme
Viola VON CRAMON-TAUBADEL in the EP in Strasbourg

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, i është gëzuar lajmit për liberalizim të vizave për kosovarët.

Sipas Von Cramon, BE nuk është shumë meritore për këtë sukses, por tha se Kosovës iu hoq regjimi i vizave si pasojë e punës së qeverive të ndryshme të vendit.

“Kuptohet që Bashkimi Evropian nuk ka aq shumë merita. Me shumë mundësi arritja erdhi nga qeveri të ndryshme, nga akterë të ndryshëm politik të cilët punuan dhe u siguruan që të gjitha kriteret të përmbushen”, ka deklaruar von Cramon për T7.

Megjithatë, eurodeputetja ka deklaruar se nuk do t’ia jepte meritat e liberalizimit një qeverie të caktuar. Ajo ka thënë se të gjitha qeveritë e kanë bërë punën e tyre.

“Kështu që nuk do t’i jepja merita vetëm për një qeveri të caktuar, por për të gjithë ata që kanë marrë pjesë”, ka theksuar ajo.

Tutje, sipas eurodeputetes, liberalizimi i vizave tashmë është punë e kryer, dhe se asgjë nuk mund ta zvarrisë procesin më tepër se janari i vitit të ardhshëm.

“Nuk ka ndonjë gjë që mund të zvarrisë procesin, tani është çdo gjë e përfunduar”.

“Nuk ka qenë asnjëherë problem në Parlament e as në Komisionin Evropian, por Këshilli Evropian dhe disa përfaqësues të shteteve kanë qenë skeptik. Ne tentuam që të flasim me ata në mënyrë që të ndryshojnë qëndrim dhe të shtyjnë procesin në drejtimin e duhur dhe më në fund pamë rezultatin që dëshiruam. Liberalizimi i vizave për Kosovën ka mund të ndodh më herët pasi që populli juaj e meriton, por fatkeqësisht mori disa vite që të finalizohet ky proces”, shtoi Von Cramon.

Parlamenti Evropian i ka dhënë dritën jeshile Kosovës lidhur me liberalizimin e vizave, ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm në Evropë pa viza nga 1 janari 2024.

Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, miratim ky që u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.

“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha Kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Siç ishte njoftuar nga PE-ja, pas miratimit të liberalizimit në seancë plenare të martën, të nesërmen akti formalisht bëhet ligj, e që nënshkruhet nga presidentja PE-së dhe përfaqësuesi i Suedisë që mban presidencën e BE-së deri më 30 qershor.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS.

Me votimin pro liberalizimit të vizave për Kosovën nga PE-ja kjo çështje është përmbyllur dhe të mërkurën e 19 prillit do të jetë ceremonia për nënshkrimin e Aktit ligjor.

/GazetaSinjali/