Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku hajnat arritën ta vjedhin një kuletë që një grua e kishte harruar te Bulevardi i Dëshmorëve.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se posa gruaja është larguar, të dyshuarit kanë marrë kuletën me mbi 700 euro dhe të gjitha dokumentet e tjera.
Viktima e denoncoi menjëherë vjedhjen, me ç’rast Policia u aktivizua dhe arriti t’i identifikojë dhe arrestojë dy personat e dyshuar.
Pas ndalimit dhe kontrollit policor, te dy të dyshuarit janë gjetur paratë dhe dokumentet personale të viktimës, të cilat i janë kthyer.
Ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion, ku pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të nisin hetimet.