VJEDHJA E PARASË PUBLIKE, PËRPLASET HAXHIU ME MINISTRIN MURATI

- in Lajme

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu është përplasur me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë seancës së sotme plenare.

Deputeti opozitar ka ngritur dyshime për një vjedhje të re në Thesarin e Shtetit në vlerë prej 200 mijë eurosh dhe ka akuzuar ministrin për fshehje të rastit. Ndërsa, ky i fundit tha se i njëjti nuk është fshehur, por ka ndodhur në një organizatë tjetër buxhetore dhe jo përmes thesarit. Ai tha se gjitha mjetet janë kthyer dhe rasti është në prokurori.

Haxhiu: A ka ndodhur një muaj më parë një vjedhje e ngjashme në thesarin e shtetit

“A ka ndodhur një muaj më parë një vjedhje e ngjashme në thesarin e shtetit prej 200 mijë euro. A janë paguar një kompanie 200 mijë euro edhe pse është mbajtur fshehtë. 2.1 milionëshi nuk është mbajtur fshehur, por e ka marrë vesh krejt bota. Por pse këto 200 mijë euro duhet të mbahen fshehur dhe a ka kallëzime penale për zyrtarët e thesarit që kësaj kompanie ia kanë qitur 200 mijë euro. Emrin e kompanisë e kam këtu, e dini edhe ju. E di që keni qenë në presion, më kanë treguar zyrtarët e ministrisë. Por pse duhet të mbahet fshehur”, tha Haxhiu në seancën e sotme plenare.

Në kundërpërgjigjen e tij, ministri Murati e akuzoi për shpifje deputetin Haxhiu, derisa dha sqarime për rastin.

Murati: Ka ndodhur një rast i pagesës së dyfishtë, mjetet janë kthyer, rasti është në Prokurori

“Një rast i pagesës së dyfishtë për shkak të sistemit ka ndodhur nga një organizatë buxhetore, e cila ka qenë e paligjshme. S’ka ndodhur në Ministri të Financave, ka ndodhur nga një organizatë buxhetore tjetër, jo përmes thesarit. Ne si Ministri e Financave kemi marrë gjitha masat, gjitha mjetet janë kthyer deri në centin e fundit, rasti është në prokurori. Nuk është fshehur, kemi pasur konferencë për medie lidhur me këtë çështje”, tha ai./KP