Viti: Sulmoi me sëpatë gruan e tij, përfundon në pranga të policisë

- in Lajme

Çdo ditë në Policinë e Kosovës raportohen raste të dhunës në familje, ku kryesisht viktima janë gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në një familje në fshatin Lubishtë të komunës së Vitisë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar gruaja, e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj fillimisht e ka sulmuar fizikisht ku më pas edhe e ka kanosur me sëpatë.

Si pasojë e dhunës ajo ka marrë lëndime trupore, për çka i është ofruar ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë njësitet policore kanë arrestuar personin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Personi i dyshuar ka një histori të njohur për policinë për shkak të sjelljeve të tij të mëhershme dhe karakteristikave personale.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.

/GazetaSinjali/