VIDEO: “E bllokon kufirin me Serbinë dhe i thua…” | Kurti nuk i bllokon mallrat serbe pas sulmit terrorist, por i kërkon SHBA-së dhe BE-së ta sanksionojnë Serbinë

- in Lajme

“Si do ta kushtëzoni Serbinë?” – e pyeste drejtuesi i emisionit Opinion, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, nga i cili kishte marrë një përgjigje të shpejtë dhe të prerë.

“Me pushtetin e Vetëvendosjes, një gjë e tillë do të bëhej e mundur shumë kollaj. Serbia duhet të kushtëzohet. Gjithkund në botë shtetet kushtëzojnë njëra-tjetrën. E bllokon kufirin me Serbinë dhe i thua nuk ta lejojë tregun e Kosovës përderisa sillesh në mënyrë kriminale ndaj meje”, ishte përgjigjja e Kurtit, shkruan Demokracia.com.

Por, ky ishte vetëm një premtim i opozitarit Albin Kurti që mirëpritej nga prodhuesit vendorë, pasi i njëjti u la në harresë si shumë të tjera, kur ai u bë kryeministër dhe Vetëvendosje fitoi më shumë se gjysmën e mandateve në Kuvendin e Kosovës.

Lojtës Videosh

 

As “24 shtatori”, i cili tejkalon të gjitha sjelljet kriminale që Serbia i ka bërë në Kosovë nga paslufta, nuk e kanë bindur kreun e Qeverisë që të marrë ndonjë vendim për t’ia ndalur tregun vjetor prej qindra miliona eurosh.

Prej gati tri javësh, Qeveria Kurti është duke u mjaftuar vetëm me retorikën fajësuese, që Serbinë e bënë përgjegjëse në organizimin e grupit terrorist të armatosur rëndë e me armatim ushtarak, i cili vrau një polic të Republikës së Kosovës dhe plagosi një tjetër.

Politikat që dikur i proklamonte opozitari Kurti, në raport me Serbinë, ishin mjaft të qarta: Kosova duhej t’i përgjigjej me fortësi asaj. Arma më e fortë e Kosovës, sipas tij, ishte pikërisht ‘tregu qindra miliona euro’ i Serbisë.

Megjithkëtë, Kurti dhe Qeveria që ai drejton nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt vendosjes së ndonjë sanksioni ndaj Serbisë apo ndonjë kushtëzimi të tipit ‘duke mos ia lejuar tregun përderisa ajo sillet në mënyrë kriminale ndaj Kosovës’, por sanksione po kërkon t’i vihen vetëm nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë kësaj kohe, kryeministri Kurti është paraqitur vetëm me kërkesa ndaj të tjerëve, ShBA-së dhe BE-së, për vendosje të sanksioneve kundër Serbisë, për përgjegjësinë në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

 

Republika e Kosovës, duke argmunetuar me fakte, e ka bërë përgjegjëse direkte Serbinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Kryeministri Kurti, por edhe zyrtarë të tjerë, përfshirë ministrin Sveçla, kanë publikuar fotografi, video dhe dëshmi të tjera për përfshirjen e Serbisë në këtë akt terrorist.

 

 

Një grup prej dhjetëra serbësh të armatosur rëndë me armatim luftarak, të stërvitur në Serbi dhe të udhëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, kanë sulmuar Policinë e Kosovës duke vrarë rreshterin Afrim Bujaku dhe duke plagosur një polic tjetër. Grupi terrorist, pasi ishin grumbulluar në manastirin e fshatit Banjskë të Zveçanit, janë lënë të arratisen në Serbi dhe nuk dihet sesi ka ndodhur kjo. Pasi kanë kaluar në Serbi, ata nuk janë arrestuar as atje, ndonëse kanë qenë të armatosur rëndë. /Demokracia.com/