Vetëvendosje u koordinua para një viti me Radojçiqin për agjendën legjislative, Kurti tash fton opozitën

- in Lajme

Disa audioincizime të publikuara në media në korrikun e vitit 2023 nxorën në sipërfaqe koordinimin e fshehtë në Kuvend mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

Deri sa në Kuvendin e Kosovës, Kurti e quante superkriminel nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq, partia e tij në prapaskenë koordinohej për votimin e ligjeve, përfshirë edhe për çështje të veteranëve të UÇK-së, shkruan Demokracia.com.
Për këtë koordinim, Mimoza Kusari – Lila ishte marrë nën mbrojtje publike nga kryeministri Albin Kurti.

Vetëm një vit pas koordinimit të Vetëvendosjes me Listën Serbe për, siç ishte thënë, agjendën legjislative. Madje edhe për tema të ndjeshme si ajo për Ligjin për Pagën Minimale nga ku përjashtoheshin veteranët e UÇK-së, kryeministri Albin Kurti tash për koordinim i ka ftuar kryetarët e partive parlamentare për të diskutuar rreth agjendës legjislative për sezonin pranveror.

Në letrën e Kurtit që i ka dërguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëhet e ditur se takimi është paraparë të mbahet të hënën, më 13 maj, në orën 18:30, në një nga hotelet e Prishtinës dhe jo në Kuvendin e Kosovës apo në Kryeministri.

“Unë jam i vetëdijshëm se subjekti juaj opozitar ka rezervat e veta për pjesëmarrje në procesin e votimit në Kuvendin e Republikës, por besoj pozitivisht se kjo nuk e parandalon pjesëmarrjen tuaj dhe diskutimin tonë të përbashkët për të shqyrtuar mundësitë e reja rreth përmbushjes së agjendës së mbetur legislative për sesionin pranveror. Duke pritur përgjigje pozitive nga ana juaj, ju përshëndes përzemërsisht”, thuhet ndër tjerash në letrën e Kurtit dërguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut.

Letra të ngjashme është raportuar se u janë dërguar edhe liderëve të tjerë opozitarë, por deri më tani nuk dihet nëse do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj ftese. /Demokracia.com/