Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Një vetaksident ka ndodhur sot në rrugën Gjilan – Prishtinë, saktësisht në afërsi të liqenit të Badocit.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë me dije se një person ka pësuar lëndime të rënda dhe i njëjti është dërguar për trajtim shëndetësor.
“Sot rreth orës 12:40, në rrugën Gjilan – Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit, një person ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe i njëjti është dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti”, tha Ahmeti.