Dy shpërthime të reja janë dëgjuar sërish në Lagjen e Boshnjakëve në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjalizuesi i Gazetës Sinjali nga veriu bën me dije se detonimet janë ndjerë njëra pas tjetrës rreth orës 20:45 dhe 20:46, teksa nuk dihet nëse bëhet fjalë për shpërthim me shok-bombë apo me mjete piroteknike.
Shpërthime pati edhe më herët te Kroi i Vitakut, ku sipas Drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në veri të vendit, Besim Hoti, dyshohet se shpërthimi erdhi nga mjete piroteknike të zëshme, teksa nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Ndryshe, situata e sigurisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është tensionuar ditëve të fundit, pasi që nga 6 dhjetori janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngrenë barrikada, duke bllokuar rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare të lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Barrikadat u vendosën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës, që Kosova thotë se dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. Beogradi ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë javës së shkuar ka dërguar trupa shtesë dhe patrulla në veri të Kosovës për të monitoruar nga afër situatën e cila javëve të fundit ka qenë e tensionuar.