VENDOSET E ARDHMJA E XHAKËS, ARRIHET MARRËVESHJA DERI NË VITIN 2025

- in Sport

Granit Xhaka do ta vazhdojë aventurën e tij me Arsenalin edhe pse ishte spekuluar shumë se ai do të largohet nga “Emirates” në këtë afat kalimtar.

Ishte skuadra nga Serie-A Roma ajo që ishte shumë e interesuar për shërbimet e tij por duket se lojtari nuk do të lëvizë nga Arsenali, përcjellë KosovaPress.

Është gazetari i njohur Fabrizio Romano i cili jep lajmin se reprezentuesi i Zvicrës është në prag të zgjatjes së kontratës më klubin nga Premier Liga.

“Arsenali ka besim se Granit Xhaka do ta nënshkruajë kontratën e re së shpejti. Marrëveshja e arritur deri në vitin 2025. Do të ketë po ashtu rritje të pagës dhe lojtari është i përgatitur për ta pranuar. Detajet përfundimtare do të rregullohen dhe pastaj do të zyrtarizohet marrëveshja re”, shkruan Romano.

Xhaka sonte do të jetë kapiten i Arsenalit kundër Brentfordit./KP