Vëllaznimi mposht Trepçën

- in Sport

Basketbollistët e Vëllaznimit kanë shënuar fitore të rëndësishme ndaj Trepçës në udhëtim 68:78, në kuadër të javës 25 në FIVE STAR Superligën e Kosovës.

Fillimi i ndeshjes ishte i baraspeshuar deri në minutën e gjashtë, kur mysafirët nga rezultati 11:12, hyn në një seri të suksesshme prej 0:9, duke përmbyllur 10 minutat e parë 11:21. Periudha e dytë ishte më e barabartë, por në minutën e fundit mysafirët me katër pikë radhazi mbyllin pjesën e parë me shifrat 27:40.

Në periudhën e tretë u zhvillua lojë më interesante, por vendasit ishin më të mirë, duke e fituar këtë pjesë 23:16, derisa shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 50:56. Mitrovicasit ngushtuan rezultatin në 55:58, por kuqezinjtë sërish shkëputen, duke mos e rrezikuar fitoren, madje kishin epërsi në 14 pikë, 62:76, për të triumfuar në fund 68:78.

Te Trepça u dallua Stavros Toutzaiarkis me 11 pikë e 13 kërcime, kurse te Vëllaznimi Ty Nichols me 19 pikë, 8 kërcime dhe 6 asistime.

Trepça ka 35 pikë, ndërsa Vëllaznimi dy më pak, duke u renditur në vendin e fundit. /KP