Deputeti i LDK-së Agim Veliu, ka reaguar pas mos ekzekutimit të pagave për mësimdhënësit që ishin në grevë në muajin shtator.
Ai në një postim në profilin e tij ka shkruar se Qeveria e shpresës çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë.
“Ndodhi greva në sektorin publik dhe kjo qeveri po tregon se është qeveri e ndëshkimit. Po vërtetohet se Kurti me kabinetin e tij qëllimisht iu shmang dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim me qëllim që t’i tregojnë “muskujt” karshi mësimdhënësve”, ka shkruar Veliu.
Deputeti i LDK-së më tej theksoi se ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje.
Sipas Veliut në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor.
“Pagat e tyre do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese. Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.