Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë që dyshohet se plagosi dy gra këtë të shtunë në Fushë Kosovë, ka vdekur. I dyshuari ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë në tentim për t’iu shmangur arrestimit, me ç‘rast dyshohet se ka bërë vetëvrasje.
“Ndërkaq që sulmi ndaj policisë është neutralizuar i dyshuari në përpjekje e sipër për t’iu shmangur arrestit policor, në rrethana që aktualisht po trajtohen ka marrë plagë nga shkrepja e armës së zjarrit”.
Sipas organeve të rendit, përkundër që ka baza të forta dyshimi për vetëplagosje, policia bashkërisht me autoritetet e tjera relevante ligj zbatuese po heton me përpikëri të gjitha rrethanat që karakterizojnë rastin.
“Ndërkohë që po vazhdon ndërmarrja e veprimeve hetimore e ekzaminuese, i dyshuari është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, nga ku rreth orës 18:45 kemi pranuar informatën se personi ka ndërruar jetë”.
Ndërkaq të plagosurat janë dërguar për tretman mjekësor./AP