Familja e kamionistit Rizah Hasani që vdiq në vendin e punës kanë apeluar vendimin e Inspektoratit të Punës për dënimin e kontraktorit multimilioner të Qeverisë Kurti, Bujar Shabanit, në vlerë prej 8,500 euro. Ata janë ankuar duke thënë se rasti nuk është trajtuar me seriozitet, pasi që nuk është inspektuar vendi ku ka ndodhur incidenti që shkaktoi vdekjen e Hasanit.
Insajderi ka arritur të sigurojë ankesën e familjarëve, ku ka thënë ndër të tjera se “Bageri” nuk ka arritur të dëshmojë se ka ndërmarrë masat e duhura për parandalimin e rreziqeve në punë.
“Mos-inspektimi i vendit të aksidentit, përveç që ka pamundësuar konstatimin e të gjitha shkeljeve që mund të jenë bërë nga subjekti N.P.Sh. “Bageri”, ka pamundësuar që të vërtetohen pretendimet tona si familjarë të së ndjerit Rizah Hasani, si fakti që familjari ynë ka poseduar patentë shofer CE që nuk përputhet me Kontratën dhe patentë shoferin e vjetër si dhe atesti i mjetit i lëshuar për periudhën 6 mujore ka kaluar atestin si mjet i modifikuar, dhe vërtetimi i këtyre pretendimeve do të sillte konstatim dhe të shkeljeve të tjera nga subjekti në fjalë dhe do të vërtetohej përgjegjësia e subjektit N.P.Sh. “Bageri” në rastin konkret dhe do të parandalonte shkaktimin e rasteve të tjera. Ky obligim rrjedh nga neni 14 i Ligjit”, thuhet ndër të tjera në ankimimin e familjarëve për vendimin e Inspektoratit të Punës.
Ata kanë shprehur shqetësimin edhe për modifikimin e rimorkios dhe largimin e mjeteve të punës menjëherë nga vendi i ngjarjes.
“Në këtë rast mjeti i punës (kamioni dhe rimorkio) me të cilën ka ndodhur aksidenti në punë, janë larguar menjëherë nga ana e Punëdhënësit. Kjo gjetje është esenciale për të konstatuar edhe përgjegjësinë kundërvajtëse edhe penale të Punëdhënësit. Andaj, kërkojmë që të përfshihet si konstatim i veçantë shkatërrimi apo largimi i provës nga vendi i ngjarjes. Për më tepër, rimorkio e kamionit ka qenë e modifikuar për ti shtuar volumin e ngarkesës nga ana e Punëdhënësit, gjë e cila mund të dëshmohet me fotografi të cilat i kemi siguruar për mjetin e punës. Po ashtu do të ishte mirë që ky kamion ti nënshtrohej ekspertizës së gjendjes teknike nëse ka qenë apo jo duke funksionuar në rregull, pasi që kemi dyshime se kontrolla teknike nuk ka qenë e kryer në mënyrë të duhur”.
Ankesa është aprovuar, si dhe është rikthyer në rishqyrtim vendimi i shkallës së parë të Inspektoratit të Punës.
Rizah Hasani humbi jetën në një aksident më 11 korrik të këtij viti. Ngjarja tragjike e humbjes së jetës së tij kishte ndodhur në rrugën e njohur si “Reka e Vogël” në Ferizaj.
Gazeta Insajderi kishte siguruar pamje nga vendi i ngjarjes atje, ku shihej kamioni i rrokullisur. Ai po punonte për “Bageri”-n, firmën e biznesmenit Bujar Shabani.
Familjarë të tij kanë hedhur dyshime se shteti po asiston në mbylljen e kësaj çështje
Për rastin pati folur vëllai i tij, Vëllai i Rizah Hasanit, Valon Hasani, tha se familja e tij kanë dyshuara të mirë-bazuara në fakte se kamioni i cili po e ngiste ishte i mbi-ngarkuar me material ndërtimor.
Valon Hasani në një intervistë ekskluzive për Insajderin shtoi se kur ka qenë prezent në vendngjarje, ka parë që është modifikuar kamioni me të cilën humbi jetën vëllai i tij, Rizah Hasani.
Pos tjerash, ai është ankuar për neglizhencë nga ana e Policisë dhe Prokurorisë lidhur me rastin. Siç thotë ai, kur i ka kërkuar prokurorit të rastit ta hetojë çështjen e kamionit, ky i fundit ka thënë se s’mund të bëhet një gjë e tillë meqë materiali ndërtimor është derdhur gjatë aksidentit.
I njëjti ka bërë të ditur edhe se biznesmeni Bujar Shabani i kishte kërkuar që t’ia kryente shërbimet e varrimit Rizah Hasanit, mirëpo që vëllai i tij, Valoni, s’kishte pranuar.
Para më shumë se tri javësh, Insajderi raportoi për një kërkesë të zyrës së avokatëve lidhur me vdekjen e Hasanit në drejtim të Inspektoratit të Punës.
Në kërkesën e zyrës së avokatëve “Rzzlaw”, shkruhet se vdekja e Rizah Hasanit përbën aksident në vendin e punës dhe se ka elemente që vdekja mund të jetë shkaktuar nga mos përfillja e masave parandaluese për të shmangur rrezikun.
“Duke marrë parasysh se vdekja e Rizah Hasanit përbën aksident në vendin e punës, dhe duke qenë se ka indikacione serioze se në këtë rast vdekja ka mund të shkaktohet si rezultat e mos përfilljes së masave parandaluese për shmangie të rrezikut në vendin e punës, konsiderojmë se është obligim i juaji ligjor kryerja e inspektimit dhe nxjerrja e raportit përkatësisht proces verbalit në këtë rast dhe po ashtu zbatimi i detyrimeve përkatëse ligjore. Nga ana juaj kërkojmë që të verifikoni nëse punëdhënësi në këtë rast ka perfillur masat ligjore për parandalimin e rrezikut, ka bërë trajnimet adekuate dhe me më më shumti rëndësi, nëse mbingarkesa e kamionit ishte shkaktar i vdekjes së Riza Hasanit”, thuhet aty.
“Me anë të kësaj shkrese ju drejtohemi me kërkesë për kryerjen e inspektimit ashtu siç ju detyron Ligii Nr. 04/L-161 per Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e që në paragrafin 2 të nenit 23 shprehimisht përcaktohet: “Për aksidentet në punë inspektori i punës detyrohet të bëjë procesverbal me shkrim me të cilin konstaton gjendjen faktike në kohen kur ka ndodhur aksidenti“, thuhet në kërkesën e siguruar nga Insajderi.
Gazeta Insajderi ka raportuar disa herë për të bëmat e biznesmenit multimilioner, Bujar Shabani dhe favorizimin që i bëhet atij nga Qeveria Kurti./Demokracia