Kombëtarja e Kosovës për femra ka zhvilluar sot ndeshjen e parë miqësore kundër Maqedonisë së Veriut.
Ndeshja u zhvillua në Shkup, ku “Dardanet” shënuan fitore solide me rezultat 3:1, përcjell KosovaPress.
Vashat tona gjatë tërë lojës kanë qenë mbizotëruese në fushë, duke krijuar aksione të mira dhe të rrjedhshme, dhe duke i konkretizuar me gola.
Pjesa e parë u mbyll me rezultat minimal 1:0, përmes golit të Donjeta Halilajt në minutën e 40-të. Kosovaret nuk u ndalën me kaq, pasi që vazhduan të zotërojnë fushën, ku në minutën e 55-të kalojnë në epërsi prej dy golash përmes Fleta Musajt.
Pas golit të Musajt, futbollistet e Kombëtares së Maqedonisë së Veriut shfaqën disa shpresa duke realizuar golin e parë përmes Yllza Maksutit.
Deri në fund të ndeshjes ndeshja u kontrollua nga futbollistet kosovare, ku në minutën e 85-të Feride Kastrati shënoi golin e tretë dhe të fundit në këtë ndeshje.
Menjëherë pas tre ditëve, me datën 8 prill, do të zhvillohet edhe miqësorja e dytë mes këtyre dy ekipeve./KP