Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia. Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, ku u ndaluan tre të dyshuar, njëri prej të cilëve ka arritur të ikë para syve të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, tre të dyshuarit, të moshave të reja, fillimisht janë ndaluar në afërsi të një shkolle, ku u kapën nga Policia duke e mbushur veturën me një shishe naftë. Nën dyshimet se posedojnë gjësende të kundërligjshme, Policia i ka kontrolluar dhe verifikuar.
Njëri prej tyre ka arritur të largohet posa ia ka dorëzuar dokumentet zyrtarëve policorë, teksa dy të dyshuarit tjerë u kapën me sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë. Të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku i dyshuari L.M., ka rrëfyer se është përdorues i drogës që 5 vjet.
Sasia e substancës që u gjet te dy të dyshuarit është sekuestruar nga Policia, ndërsa ndaj tyre me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për posedim të paautorizuar të narkotikëve.