Valdrin Sahiti është disenjator i njohur në Kosovë.
Që nga zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente, ai është kujdesur vazhdimisht edhe për dukjen e saj. Ky i fundit, nga viti 2020 është i pajisur edhe me pasaportë diplomatike prej shtetit.
Pasaporta diplomatike është një prej dokumenteve të udhëtimit me të cilën pajisen politikanët e vendit, duke nisur nga presidentja, kryeministri, kryeparlamentari, deputetët, ambasadorët e konsujt dhe familjarët e tyre.
Por, pasaportë diplomatike prej shtetit të Kosovës i është dhënë edhe disenjatorit Valdrin Sahiti, i cili njëherit është stilist i presidentes Vjosa Osmani.
Demokracia.com ka siguruar Listën e Pasaportave Diplomatike të Republikës së Kosovës, e cila nuk është rifreskuar nga MPJD që nga viti 2020, pasi që aty figurojnë edhe shumë ish-posedues të mëhershëm të pasaportave diplomatike që i kanë dorëzuar ato pas ndërprerjes së mandateve.
Megjithatë, në mesin e atyre që vazhdojnë ta kenë në posedim pasaportën diplomatike të shtetit, që nga viti 2020 është edhe kreatori Valdrin Sahiti. Vjosa Osmani edhe si kryeparlamentare, edhe si presidente, asnjëherë nuk ka hezituar që ta promovojë Sahitin në mënyrë selektive dhe publikisht si stilist.
Sahiti nuk është i përfshirë në përfaqësimin diplomatik, por duket se ia ka dalë ta sigurojë një pasaportë diplomatike falë favorizimit nga shteti, pasi që fustanët e krijuar nga ai nuk i vesh vetëm presidentja Osmani, por edhe disa këngëtare me famë botërore.
Në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com shihet se pajisja e Valdrin Sahitit me pasaportë diplomatike ishte direkt rekomandim i Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Demokracia.com ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla – Schwarz, duke pyetur se kur i është dhënë saktësisht pasaporta diplomatike kreatorit Valdrin Sahiti dhe cili ka qenë arsyetimi zyrtar mbi bazën e të cilit i është dhënë ai dokument. Po ashtu, Demokracia.com ka provuar të mësojë edhe me rekomandim të cilit ministër i është dhënë pasaporta diplomatike disenjatorit në fjalë, por si zakonisht ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Lidhur me këtë çështje, Demokracia.com i është drejtuar edhe vetë Sahitit, por as ai nuk ka pranuar të japë përgjigje për çështjen e pasaportës diplomatike.
“Kishe diçka për sfilatë”, është përgjigjur shkurtër Sahiti, kur i ka parë pyetjet e dërguara.
Kush pajiset me pasaportë diplomatike?
Në Ligjin nr. 03/L-037 për Dokumentet e Udhëtimit jepen detaje edhe për pasaportat diplomatike.
Aty theksohet qartë se politikanët janë ata që pajisen me pasaportë diplomatike dhe në disa raste, edhe familjarët e tyre.
“Pasaporta diplomatike i lëshohet: Kryetarit të Republikës së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministrit dhe anëtarëve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Avokatit të Popullit, punëtorëve të përfaqësive diplomatike dhe konsullore, si dhe misioneve të Republikës së Kosovës jashtë shtetit, që kanë emërimet diplomatike, shërbimeve konsullore, si dhe punëtorëve të ministrisë për punët e jashtme, që kryejnë punët diplomatike dhe konsullore dhe kanë emërimet diplomatike, prijësit të delegacioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, personave që me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës shkojnë për punë në organizatat ndërkombëtare si funksionarë të rangut diplomatik në organizatat e përmendura, korrierëve diplomatikë dhe personave të tjerë të caktuar, nëse kjo është në interes të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e parë të nenit 10 të këtij ligji.
Sahiti është disenjator i njohur në Kosovë, i cili biznesin e tij thuhet se e ka shtrirë edhe jashtë vendit. Ai kujdeset vazhdimisht për dukjen e presidentes Vjosa Osmani, e cila javë më parë ishte e pranishme edhe në sfilatën e fundit të tij, ku tha se “Valdrini e ka bindur t’i feniratë flokët pas 12 viteve”.
Gazeta e ka pyetur Sahitin edhe nëse paguhet nga presidentja Osmani për stilimin e saj apo po e bën gratis një gjë të tillë, por as në këtë pyetje ai nuk është përgjigjur/gazetametro/demkracia