Vaksina kundër papilloma virusit (HPV), e cila mbron vajzat dhe gratë nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës, do të jepet edhe në Kosovë, nisur nga ky vit.
“Në Kosovë me kancer të qafës së mitrës paraqiten më shumë 100 gra në vit, kurse, së bashku edhe me kancerin e vezoreve, ky numër shkon deri në 170”, ka thënë Ilir Kurtishi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Klinikës Onkologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka bërë të ditur se për këtë vit ka porositur 300 doza të vaksinës kundër papilloma virusit. Fillimisht këtë vaksinë do të mund ta marrin personat vullnetarë apo ata që kanë predispozita gjenetike, ndërsa, nga viti i ardhshëm, vaksina do t’i shtohet kalendarit të rregullt të vaksinimit, që nxjerr Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës te gratë.
Sipas onkologëve në Prishtinë, kjo formë e kancerit është e dyta për nga shpeshtësia e shfaqjes te gratë, pas kancerit të gjirit./REL