Ministria e Mbrojtjes ka nxjerr të mërkurën vendimin lidhur me tenderin “Furnizim me pajisje filtruese montuese në objekte për ujë të pijshëm për nevojat e FSK-së”, shkruan Demokracia.com.
Në mesin e dy ofertave, Ministria e Mbrojtjes e ka nxjerr fitues firmën “Eco Cleaning Corporation sh.pk.”. Aksione në këtë kompani ka edhe një qytetare nga Republika Popullore e Kinës.
Bazuar në të dhënat e ARBK-së, kompania është në pronësi të Arbër Gashit me 80 për qind, ndërsa shtetasja kineze Wenyun Yang, ka 20 për qind të aksioneve.
Vlera e kontratës është 57,785.00 euro dhe bëhet fjalë për 65 aparatë për filtrimin e ujit për pije.
Në garë për këtë tender ka qenë edhe kompania “Profitech” shpk, e cila ka ofertuar rreth 3000 euro më lirë, por është eliminuar me arsyetimin se nuk e ka përmbushur një kërkesë të ‘dosjes së tenderit’.
Qeveria e Kosovës, por edhe vetë Ministria e Mbrojtjes, haptazi e kanë shprehur aspiratën e tyre për anëtarësim në aleancën më të madhe ushtarake në botë, NATO-n, por që kjo e fundit po ashtu haptazi nuk e ka fshehur që është në garë me Kinën dhe e sheh si rrezik këtë shtet.
Edhe më 3 mars, Zyra e Prokurimit e Ministrisë së Mbrojtjes ka nxjerr dokumentin zyrtar ku e njofton kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. se atyre u është dhënë kontrata nga tenderi “Shërbimet e pastrimit të rrobave dhe mbulesave për nevojat e FSK-së”. Këtë tender kjo kompani e kishte fituar edhe një herë tjetër./Demokracia.com/