URSULA VON DER LEYEN PREMTON MBËSHTETJE PËR KOSOVËN NË RRUGËN E SAJ EVROPIANE

- in Lajme

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se perspektiva kredibile e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet i KE-së, duke kërkuar njëherësh vazhdimin e dialogut, i cili sipas saj, është thelbësor për progres në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.

Von der Leyen në një letër urimi dërguar kryeministrit Albin Kurti për marrjen e detyrës, ka thënë se do të vazhdojë ta mbështesë progresin e arritur në reformat në Kosovë, në mënyrë që kjo e fundit të avancojë sa më shpejt në rrugën e saj evropiane.

“Duke e njohur rëndësinë që ka për qytetarët e Kosovës, ne do të vazhdojmë të avokojmë për një vendim pozitiv të BE-së për liberalizimin e vizave. BE gjithashtu qëndron përkrah Kosovës dhe popullit të saj në luftën kundër pandemisë dhe mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike edhe nëpërmjet Planit për Ekonomi dhe Investime për vendet e Ballkanit Perëndimor, të miratuar në tetor 2020”, tha von der Leyen.

Presidentja e Komisionit Evropian ka thënë se e mirëpret zotimin e kryeministrit Kurti për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun Beograd-Prishtinë, të lehtësuar nga BE.

Ajo ka thënë se është thelbësore që takimi tjetër i nivelit të lartë i dialogut të mund të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo, sipas saj, është thelbësore për progres në rrugën përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe për qytetarët tuaj.

“Pres me padurim që të punojmë së bashku për avancimin e marrëdhënieve BE-Kosovë”, thuhet në letër./KP