Shtëpia më e madhe e futbollit evropian UEFA e ka konfirmuar që rregulli i golit si mysafirë në gara evropiane nuk do të vlejë më, dhe ky vendim hynë në fuqi me fillim të sezonit 2021/22.
Rregulli i golit si mysafirë është përdorur për më shumë se 50 vite, por nuk do të përdoret më në përballjet me nga dy ndeshje në garat evropiane, përcjell KosovaPress.
“Pas rekomandimeve nga Komiteti i Garave për Klube të UEFA-s, dhe Komiteti i Futbollit të Femrave, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s e ka aprovuar propozimin për të larguar rregullin e golit si mysafirë nga të gjitha garat (për meshkuj, femra dhe rini) në fazën e kualifikimeve për sezonin 2021/22”, shkruante në faqen zyrtare të UEFA-s./KP