Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, njëherësh edhe kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, u shpreh i indinjuar për kërkesën e tërheqjes së mjeteve të Trustit, duke thënë se është praktikë e pazakontë.
Mirëpo, Muja, sipas deklarimit të pasurisë të tij në AKK, merr katër mijë euro rrogë.
Deputeti Muja ka cituar një deklaratë kundërshtuese të Qeverisë për çështjen e Trustit, duke thënë se nuk duhet prekur kursimet pensionale, raporton lajmi.net.
“Trusti dhe kursimet janë obligim. Nuk janë opsionale. Në të gjitha vendet evropiane, Trusi është obligim. Nuk mbaj mend në Evropë ose diku në botë që pavarësisht shkallën e inflacionit, t’iu jem drejtu kursimeve pensionale. Në shumicën e rasteve janë propozuar masa fiskale ose monetare, por jo duke i prek kursimet pensionale”, ka thënë ai.
“Nëse shikohet tek mesatarja, i bjen që ata tërheqin 10 për qind tërheqin 5 mijë euro, ata që tërheqin 20 përqind, i bjen të tërheqin 4 mijë e 800 euro. Ata me 25% i bjen 3.300 euro”, vazhdoi më tej ai.
Mirëpo Muja në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Anti-Korrupsion, rezulton se merr katër mijë euro në muaj nga dy puna që mban – atë të deputetit në Kuvendin e Kosovës dhe si Ligjërues e Rektor në “Riinvest”.
Në anën tjetër, Muja në deklarimin e pasurisë së vitit të kaluar ka të kursyera 15,704 euro.
Iniciativa për ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional që mundëson tërheqjen e 10-30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti nuk kaloi në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Kundër propozimit ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa pro ishin ata nga PDK, LDK dhe AAK dhe deputetja nga Lista Serbe.
Ndërkaq deputetja nga radhët e pakicave, Duda Balje ka abstenuar.
Votat e deputetëve ishin 5 pro, 5 kundër dhe një abstenim. /Lajmi.net/