U harxhuan 766 euro nga Kuvendi në një hotel në Brezovicë, por nuk dihet nga cili deputet

- in Lajme

Kuvendi i Kosovës i ka bërë publike shpenzimet e tremujorit të parë të këtij viti, ku vetëm për dreka zyrtare nga komisionet parlamentare është arritur shuma prej 1 mijë e 864 euro. Nga këto vetëm komisioni për Legjislacion, që udhëhiqet nga deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka shpenzuar 1 mijë e 589 euro.

Ky raport u prezantua para komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, e ku u kritikua nga deputetët e këtij komisionit për mostransparencë të shpenzimeve enorme. E sidomos në një rast kur në Brezovicë janë shpenzuar 756 euro nga janari i këtij viti, por nuk dihet nga kush.

Jeta Statovci, deputete e këtij komisioni nga lista Guxo, tha se 6 fatura janë të datës së njëjtë.

“Në kuadër të Komisioneve në raport me shpenzimet për dreka zyrtare, kemi një dominim të Komisionit për Legjislacion, mirëpo nëse shikohen shpenzimet, diku janë 6 fatura të datës së njëjtë”, tha Statovci.

Ndërsa Eman Rrahmani, deputet nga VV-ja, kërkoi detaje për këto shpenzime në Brezovicë.

“Është në interes me ditë edhe për juve, por edhe për transparencë ndaj publikut se kush ka udhëtuar, për shkak se jemi 120 deputetë, edhe duhet të dihet se cili ka udhëtuar për t’u bërë edhe krahasimi i çmimeve se qysh janë dhe kur ka ndodhur. E njëjta mënyrë e raportimit është edhe për akomodim brenda vendit, 756 euro në “Brezovica hotel”, nuk dihet cili komision, cili grup, cila ka qenë arsyeja. Prandaj, është mirë të specifikohen këto”, tha deputeti Rrahmani.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi tha se do të përgjigjet me shkrim për rastin në Brezovicë./Nacionale