Mahmut Halimi, avokat i biznesmenit të arrestuar për dyshime për dallavere me rezerva shtetërore, Ridvan Muharremi, ka thënë se klienti i tij ishte i angazhuar në blerjen e rezervave shtetërore direkt nga ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.
Ndaj Muharremit dhe dy zyrtarëve të MINT-it, drejtorit të Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtorit të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica, të shtunën Gjykata Themelore mori vendim për caktimin e një muaji paraburgim nën dyshimin për dallavere me furnizim të rezervave shtetërore. Të tre u arrestuan një ditë më parë.
Në deklaratën për gazetarët, pas përfundimit të seancës, avokati Halimi, ka thënë se klienti i tij ishte i përfshirë në blerjen e rezervave me angazhim direkt nga ministrja Hajdari, pavarësisht se ministrja një ditë më parë u shpreh se nuk ka njohuri dhe nuk e ka parë askund nëpër dokumente emrin e Muharremit.
“E ka angazhuar Ministria, drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E kanë lutur, e kanë njohur si person afarist që ka traditë jashtëzakonisht të gjatë dhe rrjet të gjerë të miqve të vet afaristë”, ka thënë ai duke shtuar se raportet e Muharremit me zyrtarët qeveritarë janë “mysafirë që shkojnë në restorantin e tij modest”.
Sipas avokatit, Muharremi është kyçur në baza vullnetare dhe me shpenzime të veta për furnizim të rezervave shtetërore.
“Ridvan Muharremi s’ka pasur asnjë pozitë në Ministri. Është kyçur në baza vullnetare duke pasur parasysh faktin se në kohën relevante kur kanë ndodhur ngjarjet, ka qenë koha pas agresionit rus në Ukrainë, dhe ka pasur mungesë, sidomos të artikujve ushqimorë. Dhe Ministria e di se është përpjekur për të siguruar disa herë të mira materiale, përkatësisht ushqime për rezervat e shtetit, sepse rezervat kanë qenë zero nga qeveria e kaluar. Zero mjete, zero materiale. Dhe përmes një miku të tij turk, i cili është shumë i njohur, biznesmen jashtëzakonisht i njohur në Turqi që ka punuar dy vjet në Prishtina Mall, zoti Ridvan në restorantin e tij ka krijuar raporte miqësore me të dhe iu ka lut a mundet pasi nga Ministria e kanë thirrur e kanë lutur, ‘ti je biznesmen na ndihmo të gjejmë diku grurë se nuk kemi’. Ka rënë në kontakt me të, e ka marrë ai turku në shpenzime të veta, kanë shkuar bashkë, e kanë gjetur tregun, e kanë gjetur mallin, ia kanë dërguar Ministrisë për t’i bërë negociatat dhe është arrite mes shitësit dhe blerësit çmimi i shitblerjes dhe është realizuar transaksioni”, ka thënë avokati.
Sipas tij, “është meritë e Muharremit që ka ushtruar ndikimin e vet, përmes mikut të tij, që në Qeverinë e Turqisë t’i bindë që për hirë të Kosovës të hiqet embargo për një kohë të shkurtër që të krijohet mundësia për zbrazjen e grurit nga anijet e Ukrainës në anije e destinuar për ardhje në portin e Durrësit”.
Ai ka thënë se në këtë port është bërë matja e sasisë, kualitetit dhe parametrave të nevojshëm. Sipas tij, shitësi ka dhënë sasi shtesë për Kosovën. Avokati ka thënë po ashtu se biznesmeni i arrestuar ka njoftuar Qeverinë e Kosovës se malli është nisur nga Turqia dhe “këtu e ka kryer misionin, në shpenzime të veta”.
Pas ardhjes së mallit në Durrës, sipas Halimit, “ka humbur një sasi, brenda suazës së lejuar të humbjes në përqindje”.
“Ndodh gjatë udhëtimit, gruri teret dhe humb peshë dhe është normale, për derivate të naftës e benzinës është e lejuar po ashtu sepse avullohet gjatë transportit. Ajo sasi përputhet në tërësi me dy përqindëshin e lejuar. Janë dy shlepera apo dy maune që s’kushtojnë 12-13 mijë euro. S’e di ku e gjeti Prokuroria 600 mijë euro. Klienti im, as s’ka kryer krim e as s’ka ndihmuar në krim. ‘Krime të tilla’ dhe sjellje të vullnetshme për të kontribuar për vendin tim, klienti im do të kryejë pandalshëm”, ka shtuar më tej avokati i Muharremit.
Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme ministrja Hajdari ka deklaruar se s’ka informata që Muharremi të ketë qenë i kontraktuar për ndonjë kontratë rreth rezervave.
Deklarata e Hajdarit: 22:35