TURISTËT SERBË FILLOJNË TË ZËVENDËSOJNË KOSOVARËT NË PLAZHIN E DURRËSIT

- in Shqipëri

Politika e qeverisë për të promovuar lëvizjen e lirë në rajon – e njohur gjithashtu si “Ballkani i Hapur”, ka favorizuar rritjen e numrit të turistëve nga Serbia në Durrës.

Temperaturat e larta të ditëve të fundit duket se do ti shërbejnë zgjatjes së periudhës së pushimeve në plazhin e Durrësit.

Familjarët që japin dhoma me qira ndjehen mirë, ndonëse e pranojnë se numri i turistëve që preferojnë shtëpitë pas linjës hekurudhore po vjen duke rënë.

Sidoqoftë, tashmë në plazhin tradicional, shumë pranë qytetit po akomodohen edhe turistë nga vendet e Ballkanit, apo vende të tjera të Lindjes dhe fitimi për këtë lloj shërbimi në hotele dhe banesa është më i lartë.

Mimoza Llaftiu, që prej 25 vitesh jep çdo verë 3-4 dhoma me qira në shtëpinë e saj, tregon për BIRN, se për të dytën herë radhazi, në banesë pushojnë nga 10 ditë anëtarët e të njëjtes familje serbe.

“Kur erdhën para dy vitesh i shoqëronte një grua nga Prishtina, e cila qëndroi me ta gjatë pushimeve,” thotë Mimoza, duke vlerësuar anën ekonomike më shumë se sa kombësinë e tyre.

“Serbët kanë panë pak kërkesa dhe paguajnë mirë për qëndrimin”, shtoi ajo.

Numri më i madh i turistëve nga Serbia është akomoduar në disa nga hotelet e pjesës qendrore të plazhit.

“Vijnë me paketa pushimi 1-javore që ua ofrojnë agjencitë”, thotë Fred Spiro, në truallin e të cilit është ndërtuar hoteli ku aktualisht akomodohen turistë të huaj.

Aktualisht shumica e pushuesve janë nga Serbia, por nuk mungojnë edhe të tjerë nga Bosnja, nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga Çekia.

Pranë hyrjes së hotelit, dy tre pushues të huaj e përshëndesin Fredin, duke ngritur gishtin lart: Super, super!

“Edhe këta janë serbë. Flasin shumë pak anglisht, por janë të kënaqur me shërbimin,” thotë ai, i veshur me një bluzë sportive dhe me pantallona të shkurtra./Telegrafi