Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, trupi gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka marrë vendim që të mos vendos masa kufizuese lidhur me vizitat private të të akuzuarve.
Në vendimin e datës 9 shkurt 2024, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ia ka rikujtuar të akuzuarve, në veçanti Thaçit dhe Selimit për detyrimin që kanë për të mos iu zbuluar personave të tretë informacione konfidenciale.
“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli përmes kësaj: KUJTON të Akuzuarit, në veçanti, zotërinjtë Thaҫi dhe Selimi, për detyrimin e tyre për të mos zbuluar palëve të treta të paautorizuara asnjë informacion konfidencial dhe/ose informacion që mund të çojë në identifikimin e dëshmitarëve të mbrojtur; UDHËRON Sekretarin që t’u kujtojë vizitorëve në objektet e paraburgimit se ata nuk duhet të diskutojnë ose të marrin pjesë në diskutimet e informacioneve konfidenciale që kanë të bëjnë me procedurat në KSK me një të paraburgosur, duke përfshirë informacionin që ka të bëjë me identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur”, thuhet në vendim.
Veç tjerash, nëpërmjet këtij vendimi, urdhërohen avokatët kryesor të të gjithë të akuzuarve që të iu kujtojnë anëtarëve të tyre të ekipit detyrimet që kanë në lidhje me informacionet konfidenciale.
“(c) UDHËRON avokatin kryesor për të gjithë të akuzuarit që t’u kujtojë anëtarëve të ekipit detyrimet e tyre në lidhje me informacionin konfidencial; (d) URDHËRON Regjistruesin që të njoftojë menjëherë Panelin në rast se ajo nxjerr një vendim që vendos kufizime ose refuzon një kërkesë për një vizitë private; dhe (e) UDHËZON Sekretarin, ZPS-në, Mbrojtjen Selimi dhe Mbrojtjen e Thaçit që të dorëzojnë një version publik të redaktuar të dosjeve të tyre përkatëse ose të kërkojnë riklasifikimin e tyre si publik jo më vonë se e premtja, 16 shkurt 2024”, thuhet tutje.
Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli i refuzoi që të vendoste ndonjë masë kufizuese lidhur me vizitat private. Andaj, ka vlerësuar se nuk ka indikacione që këto vizita të jenë përdorur për qëllime tjera.
“Paneli rikujton se, në vendimin e tij, ai refuzoi të miratonte ndonjë masë kufizuese në lidhje me Vizitat Private. Në lidhje me këtë, Paneli konstatoi se “nuk ka indikacione se këto vizita [private] janë përdorur për t’u përfshirë në veprime të pahijshme sjelljen e deritanishme” dhe se Paneli “nuk do të ngurrojë të vendosë kufizime shtesë për Vizitat Private nëse ndonjë palë përfshihet në sjellje të pahijshme gjatë vizitave të tilla [private]”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimit.
Ndërsa, lidhur me kërkesën e ZPS-së që të gjitha vizitat private të Thaçit dhe Selimit të monitorohen, Paneli ka theksuar se ato janë të rëndësishme sa i takon të drejtave të akuzuarve si dhe nuk ka bazë për të vendosur masa kufizuese ndaj tyre.
“Lidhur me kërkesën e ZPS-së që faktet dhe rrethanat tani para Panelit të arsyetojnë monitorimin aktiv të të gjitha vizitave private te z. Thaçi dhe Selimi, Paneli thekson si në vijim. Së pari, Paneli rithekson se përderisa Vizitat Private janë veçanërisht të rëndësishme nga pikëpamja e të drejtave themelore të të akuzuarve, ato gjithashtu mund t’u nënshtrohen masave të kufizimeve kur është e nevojshme dhe në proporcion me nevojën për të mbrojtur një interes publik konkurrues. Së dyti, asnjë nga vizitat e përfshira në këtë Vendim nuk ishin Vizita Private. Në vend të kësaj, të gjitha ishin vizita jo të privilegjuara, të cilat tashmë i nënshtrohen masave kufizuese të vendosura nga Paneli për z. Thaçi, Selimi dhe Veseli. Prandaj, nuk ka asnjë bazë në këtë fazë që Paneli të urdhërojë që masa të ngjashme të vendosen në lidhje me Vizitat Private. Megjithatë, Paneli e ka bërë të qartë se çdo keqpërdorim i privilegjeve lidhur me vizita të tilla do t’i nënshtrohet një përgjigje adekuate”, thuhet tutje në vendim./Demokracia