Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën, kryetari i trupit gjykues, Charels Smith III njoftoi se nuk ka urdhër për monitorimin e komunikimeve në mes të akuzuarve dhe avokatëve në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Po ashtu, Smith III njoftoi se edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se nuk ka bërë përgjime të asnjë prej komunikimeve që mbrohen sipas Rregullores së gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo deklaratë e gjykatësit erdhi gjatë një urdhri gojor në mocionin e përbashkët të mbrojtjes së katër të akuzuarve, të cilin e kishin dorëzuar më 17 qershor për mbrojtjen e privilegjit ligjor.
“Ishte një kërkesë e përbashkët e mbrojtjes për mbrojtjen e privilegjit ligjor… më 28 qershor 2024 u përgjigj prokurori i specializuar dhe mbrojtja nuk u kundërpërgjigj. Më 16 korrik 2024, gjykatësja e vetme lëshoi vendim mbi kërkesën e mbrojtjes për garantimin e mbrojtjes së privilegjit ligjor. Trupi gjykues vëren që në vendimin e 16 korrikut dhe 24 korrikut, gjykatësi i vetëm konfirmoi se nuk kishte bërë monitorimin i komunikimeve të privilegjuara në asnjë formë, as tek vizitat personale, as të telekomunikimit, as të korrespodencës me shkrim dhe as të dokumentacionit në mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit. Së dyti; garantojmë mbrojtjen se nuk ka asnjë urdhër për monitorimin e komunikimit të tyre në asnjë formë të akuzuarve në objektin e paraburgimit”, tha Smith III.
Gjykatësi theksoi se tashmë është e qartë që mbrojtja e ka marrë nga organet përkatëse informacionin që duhet të merrte në këto rrethana.
“Trupi gjykues vëren se nuk ka asnjë bazë ligjore për të bërë një garanci të atillë dhe mbrojtja mund të refuzojë një garanci të ngjashme nëse ofrohet në një rast të ngjashëm. Theksojmë se trupi gjykues nuk ka urdhëruar asnjëherë që të përgjohen komunikimet në mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit”, tha tutje Smith III./Demokracia