Tri vjet Presidente/ Opozita: Vjosa Osmani, shërbyese e marionetë e Kurtit

- in Lajme

Kuvendi i Republikës së Kosovës më 4 prill 2021 me 71 vota për, kishte zgjedhur Vjosa Osmanin në postin e Presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë.

Në seancën kur Osmani u zgjodh president, nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe.

Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.

Derisa për dikë Osmani mbetët garancë e raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së, për opozitën në vend dhe njohësit e çështjeve politike, ajo mbetët thjeshtë marionetë e kryeministrit Albin Kurti dhe vegël e Qeverisë.

Deputeti i VV-së: Presidentja Osmani bëri punë të mirë në politikën e jashtme

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj thotë për FrontOnline, se Presidentja Vjosa Osmani ka bërë punë të mire e sidomos në aspektin ndërkombëtar dhe ka bërë unifikim kur është dashur ta bëjë atë.

Sipas tij, Presidentja Osmani ka evituar shumë dëme që kanë mundur t’i bëhen Kosovës.

“Unë e vlerësoj punën e Presidentes Osmani, sidomos në aspektin ndërkombëtar, të punës së saj, në atë që e quajmë politikën e jashtme, në marrëdhënie ndërkombëtare. Në rastet e caktuara kur është nevojitur të bëjë unifikimin politik dhe besoj se ka vepruar në kushte, ku së bashku me kryeministrin, kanë evituar shumë raste apo dëme që kishin mundur t’i ndodhin Kosovës’’, thekson Rexhaj.

Më tej, deputeti Rexhaj shton se Presidentja ka pasur rol kyç bashkë me kryeministrin Kurti, përkundër presionit dhe kritikave për Asociacionin

‘’Ne e dimë çfarë kompetenca ka Presidentja, pra ka autorizime në fushën legjislative, ne e dimë se e ku ka arritur FSK-ja dhe kjo ka ndodhë për shkak të harmonisë mes Presidentes dhe Kryeministrit. Edhe Presidentja edhe kryeministri Kurti, kanë pasur rol kyç, pavarësisht që në disa raste ka pasur presione e kritika, sidomos në zbatimin e Asociacionit’’, potencoi deputeti Rexhaj për FrontOnline.

Nënkryetari i LDK-së: Vjosa Osmani ka qenë e nënshtruar ndaj Kurtit, nuk është garancë e raporteve SHBA-Kosovë

Për ish-partinë e saj LDK-në, subjekti i cili para tri viteve ia kishte mundësuar kuorumin për t’u bërë Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka qenë në nivelin e detyrës, por ka qenë e nënshtruar para Qeverisë dhe Kryeministrit Albin Kurti e poashtu nuk ka mbrojtur interesat e Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, thotë për FrontOnline se Osmani nuk ka qenë në anën e duhur dhe nuk ka qenë në nivelin që do të duhej të ishte.

“ Për mendimin tim ka qenë dashur të jetë në nivel të detyrës  që i ka taku. Ka qenë e nënshtruar para Qeverisë kryeministrit dhe nuk i ka mbrojtur interesat e Kosovës karshi faktorit ndërkombëtar, dmth nuk ka qenë në anën e duhur deri tash në momentet e fundit, por edhe tash jam skeptik që do të ndikoj diçka për të qenë në anën e shtetit të Kosovës, jo me shiku interesin e saj apo të partnerit të koalicionit qeverisës’’

Muhaxheri ka treguar arsyet pse para tri viteve LDK-ja ia kishte mundësuar kuorumin Osmanit.

‘’Ne e kemi kry obligimin ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj saj si person, ia kemi mundësuar me qenë Presidente edhe me e pa sa ka me qenë e aftë ajo për ta luajtur rolin e Presidentes’’.

Vjosa Osmani për LDK-në nuk shihet si garancë e raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së.

‘’Nuk e kam besimin e plotë se mundet me qenë garancë e raporteve Kosovë-SHBA, por ta shohim kur të vije para sfidave të mëdha si do të jetë’’, tha Muhaxheri për Front Online.

Berisha nga PDK: Osmani edhe pas tri viteve mbetet notere dhe vegël e Kurtit, nuk është unifikuese

Për PDK-në, Presidentja Vjosa Osmani, vazhdon të mbetët vegël dhe notere e Qeverisë Kurti dhe larg e të qenit person dhe figurë unifikuese.

Për partinë opozitare PDK-në, Osmani poashtu është edhe recidiviste e shkelëse e Kushtetutës.

Kështu thotë deputeti nga radhët e kësaj partie, Hisen Berisha në një prononcim për FrontOnline.

‘’Presidentja Osmani tani kur e ka kaluar më shumë se gjysmën e mandatit, karakterizohet si vegël e Qeverisë dhe kryeministrit, recidiviste në shkeljen e Kushtetutës dhe larg të qenit personi dhe institucioni kushtetues unifikues. Presidentja thjeshtë është vënë në rolin e noteres së kryeministrit Kurti, për validimin e dëmeve qe po ia bën vendit. Është identifikuar si recidiviste e  shkeljes së Kushtetutës prej ndërhyrjeve kirurgjike nën anestezion, pa i bartur përkohësisht përgjegjësitë  deri me rastin e mos garantimit të funksionimit të institucioneve të pa varura, siç është mosemërimi i Kryeprokurorit”.

Berisha më tej shton se Presidentja aktuale nuk i plotëson kushtet për të qenë në këtë pozitë.

‘’Implikimi i Presidentes, në çështjet e dialogut përveç interesimit kushtetues si përfaqësuese e shtetit ndërkombëtarisht dhe detyrimit për shtyrje të proceseve politike shtetërore, përbën shkelje të Kushtetutës e cila e autorizon ekskluzivisht Kryeministrin e qeverinë në zhvillimin e dialogut e negociatave sipas platformës së miratuar në Kuvend. Prandaj kjo Presidente nuk i plotëson kushtet minimale me qenë Presidente’’, tha ai.

Deputetja e AAK-së: Presidentja Osmani vazhdon të mbetët shërbyese e Albin Kurtit

Nga AAK-ja, Presidentja Vjosa Osmani vazhdon të shihet si marionetë e Kryeministrit dhe Qeverisë Kurti dhe shërbyese e interesave të tij.

‘’Unë e kam thënë disa herë që presidentja Vjosa Osmani ka qenë veçse një marionetë e kryeministrit Kurti dhe i ka shërbyer interesave të tij’’, deklaron deputetja e AAK-së, Albanë Bytyqi për FrontOnline.

Deputetja Bytyqi thotë se Presidentja Osmani nuk ka pasur rol unifikues siç do duhej ta kishte një President.

‘’Kjo presidente nuk e ka pasur rolin unifikues siç edhe duhet ta ketë një presidente dhe realisht do të mbahet mend veç si e tillë, një presidente që ka shërbyer për kryeministrin dhe asgjë më shumë’’.

Demhasaj: Së fundmi ka dallime mes Osmanit dhe Kurtit, Presidentja s’ka pasur rol unifikues

Ndërkaq, për analistin politik Arton Demhasaj, Presidentja Vjosa Osmani deri më tani nuk ka pasur rol unifikues.

‘’Nuk është se ka pasur ndonjë punë¸ pak a shumë ka qenë njëfarë tandem, mes kryeministrit, zonjës Osmani dhe kryeparlamentarit Konjufca. Roli i Osmanit më shumë ka qenë në kuadër të koalicionit të Guxo me VV, deri tash nuk ka pasur rol unifikues’’, thotë Demhasaj.

Ai poashtu thekson se fundmi ka dallime mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti.

‘’Tash së fundmi e kemi parë që ka dallime mes Presidentes dhe Kryeministrit, dhe shumica e delegacioneve që po vijnë në Kosovë, kanë filluar të takojnë Presidenten dhe ka filluar të jetë më aktive në çështjet e politikës së jashtme, sidomos në raportet me aleatët sepse për aq kohë sa qasja e Qeverisë po i prishë raportet me aleatet, Presidentja së fundmi ka filluar me vepru’’, tha analisti Demhasaj./Demokracia