Në tri vitet e fundit, 14 shkurti në Kosovë nuk shënon vetëm Ditën e të Dashuruarve. Nga viti 2021, kjo datë kujtohet mbahet mend edhe si dita kur Lëvizja Vetëvendosje shënoi rezultatin historik elektoral, duke i fituar zgjedhjet nacionale me mbi 50 për qind, rezultat ky që nuk ishte shënuar asnjëherë më parë në Kosovë.
Këtë rezultat historik e ka kujtuar sot edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në mbledhjen e Qeverisë Kosovës është lavdëruar për punën e qeverisë së tij.
Por, rezultatet e kësaj qeveria i ka kontestuar opozita. Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së kanë thënë se për tri vite kjo qeveri nuk ka shënuar ndonjë rezultat.
Ata ia kanë bërë një bilanc Qeverisë, duke ia numëruar dështimet.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vlerësuar se kjo qeveria premtimet i ka kthyer në mashtrime, ndërsa shpresën në zhgënjim.
“Tri vite i mjaftuan Albin Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim. Tri vite të mbushura me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve tanë. Tri vite përplot me veprime të papërgjegjshme, përmes së cilave është rrezikuar vazhdimisht e ardhmja euro-atlantike e shtetit tonë. Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht SHBA-së, tashmë edhe si politikë zyrtare qeveritare”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, në të gjitha fushat kjo qeveria ka stagnuar.
“Krejt çka kjo Qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën. Për ta, e rëndësishme është që kulti i liderit të jetojë, qoftë edhe përmes një statuje qesharake prej bronzi – mbi varfërinë e qytetarëve dhe të ardhmen e cenuar të shtetit tonë”, ka shkruar ai.
Një bilanc Qeverisë Kurti ka bërë edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se për gjatë këtyre tri viteve Kosova nuk ka marrë asnjë njohje dhe po përballet me sanksione nga BE-ja.
“Kosova i ka punët më keq se kurrë në relacione ndërkombëtare. Madje edhe me SHBA-të, përkahësin tonë më të madh. Presidentët Trump dhe Biden i kërkonin Serbisë marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi me Kosovën me njohjen në qendër (‘a comprehensive normalization agreement ëith Kosovo centered on mutual recognition’). Jo më. Pse? Sepse Qeveria Kurti e ka humbur argumentin me bashkësinë ndërkombëtare, madje edhe me miqtë dhe aleatët tanë. Nuk arrin ta bindë askë, për asgjë, pos militantëve të vet. S’e kemi asnjë njohje të shtetit tonë në tri vitet e kësaj Qeverie”, ka shkruar ai, duke përmendur sanksionet e BE-së ndaj Kosovës. “Kosova po vuan prej sanksioneve ndërkombëtare për herë të parë në historinë e vet. Treqind milionë euro projekte të bllokuara deri tani. Humbjet po shtohen për çdo ditë. Njerëzit po e braktisin Kosovën me të madhe. Në ndërkohë, ministri i Albin Kurtit e quan Kosovën shtet të përkohshëm. Drejtuesit e pandërgjegjshëm të shtetit tonë heshtin. Këtu jemi me pushtetin që e ka shpallur veten Qeveri të Shpresës. Shpresa vdes e fundit”, ka shkruar Hamiti.
Kurti krenohet më të arriturat
Në 3-vjetorin e fitores, kryeministri Albin Kurti ka mbajtur mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku është lavdëruar me punën që qeveria e tij ka bërë gjatë kësaj kohe.
Në adresimin e tij, ai ka thënë se në Kosovë Shën Valentini nuk shënon vetëm ditën e të dashuruarve, por edhe dita e dashurisë për Kosovën.
“14 shkurti është vullneti i popullit për të ndërtuar të ardhmen e tij mes popujve e shteteve të barabarta. Kosova e 14 shkurtit, sot pas tri vitesh është republikë më e fortë më e qëndrueshme dhe më e mirë për të jetuar. Në Kosovë më 14 shkurt nuk shënohet vetëm Dita e Dashurisë ndaj njerëzve të dashur, por edhe dita e dashurisë ndaj Republikës sonë. 14 shkurti është dita e dashurisë ndaj vlerave të përbashkëta”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se gjatë këtyre tri viteve është treguar se është e mundshme që të qeveriset mirë.
“Mbledhja e 188-të e qeverisë përkon me datën që shënon 3-vjetorin e fitores tonë historike të zgjedhjeve në 2021. Tre-vjetorin e ndryshimit të madh politik e shoqëror. 14 shkurti është momenti i përmbysjes më të madhe politike në Kosovë. Është momenti ku ngadhënjeu drejtësia mbi korrupsionin, interesi publik mbi atë privat e personal. Dëshmuam se është e mundur të qeveriset me vullnetin e popullit, me duar të pastra. Vendi ynë ka qenë shembull i vërtetë i guximit e vendosmërisë së popullit me sfida të mëdha që erdhën e kaluan njëra pas tjetrës”, është shprehur Kurti.
I pari i qeverisë ka thënë se rezultate janë shënuar edhe në fushën e ekonomisë.
“Janë përpjekur ta vonojnë reformën në ekonomi e drejtësi duke i sfiduar nismat në Kushtetuese, por reformat do të bëhen e po bëhen. Zhvillimi ekonomik do të vazhdojë. Me punë të ndershme ngritëm të hyrat tatimore. Në 3 vitet e fundit ekonomia jonë ka shënuar rritje të vazhdueshme. Janë dyfishuar investimet e huaja, dhe ka pasur rritje prej 2/3 të të ardhurave nga taksat pa ndryshime të politikës fiskale. Me masat tona qeveritare kemi shpërndarë edhe rritjen ekonomike edhe rritjen e të hyrave të shtetit. Arsimin e lartë e bëmë falas. Filluam me shtesa për lehona siç kishim premtuar. Luftuam krimin e korrupsionin siç kishim premtuar. Shkatërruam bandat kriminale në vend, ligjshmëria dita-ditës po shtrihet”, është shprehur Kurti./Demokracia