Tregohet se një mbret kishte vendosur një gur të madh (shkëmb) në rrugën kryesore dhe e bllokoi rrugën plotësisht.
Mbreti gjithashtu aty vendosi edhe një roje që t’i vëzhgojë sjelljet e njerëzve, e më pas ta njoftojë në lidhje me atë që do shikojë dhe dëgjojë.
Personi i parë që kaloi në rrugën e bllokuar, ishte një tregtar i madh i atij vendi. Tregtari e shikoi gurin që kishte zënë rrugën dhe u nevrikos. Filloi ta kritikojë dhe shajë atë që kishte vendosur gurin aty, pa e ditur se ai ishte mbreti i atij vendi. Tregtari duke bërtitur tha: “Do të shkoj të ankohem për këtë çështje, dhe do ta dënojmë atë që e ka vendosur këtë”.
Personi i dytë që kaloi ishte një ndërtues shtëpish edhe ai, veproi njëjtë sikurse tregtari, por zëri i tij ishte më i ulët, sepse ai ishte më pak autoritativ në atë vend, se sa i pari.
Pastaj kaluan tre shokë të rinj, ata qëndruan në një anë të gurit dhe filluan të talleshin me vendin ku jetonin, thonin se sa keq është katandisur ai vend dhe nuk ndërmorën asnjë veprim për ta ndryshuar gjendjen. Atë që e kishte vendosur gurin e cilësonin si injorant dhe kaotik, e pastaj u larguan drejt shtëpive të tyre.
Pasi kaluan dy ditë dhe askush nuk bëri gjë për ta larguar gurin që kishte zënë rrugën, aty kaloi një bujk i varfër i cili ishte shumë puntor. Bujku nuk foli asgjë i përvjeli mëngët e tij dhe u përpoq ta largojë gurin prej rruge. Kërkoi ndihmë nga kalimtarët që vinin dhe ata e ndihmuan, e kështu e larguan gurin (shkëmbin) që kishte bllokuar rrugën prej 2 ditësh.
Kur bujku largoi gurin nga rruga, ai aty gjeti një qyp me flori dhe një letër në të cilën thuhej: “Kjo dhuratë është nga mbreti për atë që do e largon gurin nga rruga. Kjo dhuratë të takon ty sepse je njeri pozitiv, u angazhove në zgjidhjen e problemit, në vend se të fillosh të ankohesh.”
ETIKA E TREGIMIT:
Çdo njeri prej nesh le të shikojë se me çfarë probleme ballafaqohet dhe a mund t’i zgjidh ato para se të filloj të mendojë për ankesa. Prandaj, vëllezër të nderuar, le t’i vlerësojmë si duhet aftësitë tona që na i ka dhuruar All-llahu xh.sh. e të specializohemi në atë drejtim për ku kemi më së shumti prirje. Të mos harrojmë se puna dhe fitimi e gëzojnë njeriun, kurse dembellëku e përtacia janë burim i moskënaqësisë dhe i problemeve tona.
Profeti Muhamed a.s, në një hadith thotë:
“Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që më së shumti u bën dobi njerëzve“.
Gjithashtu në një hadith tjetër Profeti Muhamed a.s ka thënë: “Një njeri kaloi pranë një dege të një peme që kishte rënë në rrugë, të cilën e largoi duke thënë: Pasha Allahun, do ta largoj që të mos i dëmtojë myslimanët. Allahu e shpërbleu për këtë vepër dhe e futi në Xhennet”.
Infoshqip.com