Politikania serbe, Rada Trajkoviq, është ndaluar nga policia serbe në pikë kalimin kufitar me Kosovën, në Merdar, ka bërë të ditur vetë ajo në një shkrim në Twitter. Trajkoviq ka thënë se kjo konfirmon që për “Policinë e Vuçiqit/Vulinit, kufiri i Serbisë është padyshim në Merdar”.
Trajkoviqit ditë më parë iu ndalua edhe fluturimi në Aeroportin “Nikola Tesla”. Kjo për shkak se, siç thotë ajo, të një padie që ia ka bërë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq. Ndërkaq në një deklaratë të shkurtër për “KoSSev”, Trajkoviq ka thënë se edhe ndalimi i së premtes(sot) ishte për të njëjtat arsye.
“Dhe prapë tash. Jam ndaluar në pikë kalimin administrativ për në Kosovë, në Merdar, nga policia serbe”, ka shkruar ajo në Twitter. “Për policinë e Vuçiqit/Vulinit, kufiri i Serbisë është padyshim në Merdar. Sërish nuk më lejojnë të kaloj kufirin”.
Radojçiq është pjesë e listës së të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.