Për shkak të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, një nënë në Shkodër dyshohet se është vetëmbytur në lumin Bunë bashkë me 3 fëmijët. Palombarët e RENEA-s kanë gjetur trupin e vajzës 9-vjeçare, ndërsa vijojnë kërkimet për nënën Alma Arrazi, djalin dhe vajzën e vogel. Në pranga ka rënë babai Ergys Arrazi, i cili denoncoi më 3 maj se gruaja ishte larguar nga banesa.
Kërkimet në lumin Buna për trupin e Alma Arrazit dhe dy fëmijëve të tjerë të saj, kanë vijuar gjatë natës dhe vijojnë edhe gjatë paradites së të hënës. Deri më tani nuk është bërë i mundur rikuperimi i tyre. Të dielën u arrit të nxirrej nga uji vetëm trupi i vajzës 9-vjeçare.
Palombarët e forcave RENEA ndodhen që prej orëve të para të mëngjesit të djeshëm duke kontrolluar përgjatë brigjeve të lumit Buna, nga zona përreth qytetit të Shkodrës, në zonën e Dajçit dhe Anës së Malit dhe në grykëderdhjen e Bunës por deri tani pa rezultat.
Ngjarja tragjike
Dhuna në familje dyshohet të jetë bërë shkak që nëna me 3 fëmijët t’i japë fund jetës duke u vetëmbytur në lumin Bunë pranë Darragjatit në Shkodër. Deri më tani është gjetur trupi i vajzës 9-vjeçare ndërsa e zhdukurrezulton nëna Alma Arrazi bashkë me dy fëmijët e tjerë, një vajzë, 8 vjeç, dhe një djalë, 3 vjeç. Edhe ata sipas policisë dyshohet se janë mbytur në lumë ndërsa palombarët po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupave.
Sipas burimeve për A2 CNN, bashkëshortja me tre fëmijët kishin dalë me kunatën, nusen e vëllait të Ergysit dhe më pas janë ndarë në mënyrë të qetë, pa ngritur asnjë dyshim për aktin fatal që Alma Arrazi do të ndërmerrte. Gjithnjë sipas burimeve për A2 CNN, e reja kishte mësuar së fundmi një tradhti bashkëshortore nga i shoqi.
Arrestohet babai, dyshohet se ushtronte dhunë në familje
Menjëherë pas gjetjes së trupit të vajzës së mitur në pranga u vu babai Ergys Arrazi, i cili akuzohet për “Shkaktimin e vetëvrasjes”. Ka qenë vetë 31-vjeçari Arrazi, i cili ka denoncuar në polici më datë 3 maj se gruaja dhe 3 fëmijët janë larguar nga banesa, por pa dhënë detaje të tjera.
Për hetuesit ai ka qenë i ftohtë gjatë dëshmisë së tij ndërsa dyshohet se ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes. Diçka të tillë e ka mohuar ndërsa nuk ka shfaqur asnjë ndjesi edhe kur mori lajmin se njëra prej vajzave të tij është gjetur e pajetë në lumë.
Pas denoncimit për zhdukjen e tyre ka qenë motra e gruas e cila i tha policisë për dhunën që ushtronte 31-vjeçari ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve ndërsa ka çuar në pranga Arrazin./Demokracia