“The Straits Times“, gazetë në gjuhën angleze me bazë në Singapor, i ka kushtuar së fundi një artikull fillimit të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kanë nisur betejën e tyre të fundit me drejtësinë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës.
Autorja e artikullit, Fauziah Mohd Taib, profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë në Malajzi dhe ish-diplomate e vendit në Bruksel, Uashington dhe Hagë, niset nga fakti se Thaçi, por edhe të akuzuarit tjerë të UÇK-së, punuan intensivisht me komunitetin ndërkombëtar që në fund rezultoi me ardhjen e paqes në Kosovë.
“Thaçi punoi intensivisht me Sekretaren Amerikane të Shtetit Madeleine Albright, Sekretarin e Jashtëm Robin Cook, senatorin amerikan Bob Dole dhe ambasadorin Richard Holbrooke për të sjellë paqe dhe stabilitet në Kosovë”, shkruan Taib në artikullin e saj.
Ajo përmend edhe intervenimin e NATO-s në Kosovë në mars të vitit 1999 – përgjigje kundrejt krimeve serbe të luftës dhe mizorive ndaj popullit shqiptar të Kosovës – që ridefinoi ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit si ndërhyrje në baza humanitare.
“Popullata shqiptare e Kosovës iu nënshtrua dhunës dhe shtypjes brutale. Serbët kryen qindra masakra ku u vranë më shumë se 12 mijë shqiptarë, pa kursyer fëmijët, gratë dhe pleqtë. Gjysma e popullsisë u detyrua të largohej. Të akuzuarit ishin ndër ata që qëndruan në mbrojtje të popullit dhe lirisë së tyre”.
Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, nisi të hënën e 3 prillit, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës. Prokuroria Speciale shpalosi aktakuzën kundër Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që nga prokurorët e specializuar u barazvlerësua me një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
Me gjithë përpjekjet e Prokurorisë së Specializuar për të thënë se ky proces është ndaj individëve dhe jo ndaj UÇK-së, ajo demantohet me pikën 35 të aktakuzës – e cila i portretizon si anëtarë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” pothuajse të gjithë udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com