Ish-presidenti Hashim Thaçi do të qëndrojë në Kosovë edhe gjatë së shtunës, ku pritet të zhvillojë takime me familjarët e tij.
Ish-presidenti Hashim Thaçi do të vazhdojë qëndrimin e tij në Kosovë edhe për ditën e dytë, ku pritet të takohet me familjarët e tij në selinë e EULEX-it.
Gjatë të premtes, ai vizitoi varrin e të atit, si dhe shtëpinë e tij në Burojë për t’i ngushëlluar familjarët.
Thaçi ka përshëndetur një numër të madh të pranishmish. Vizita e tij është duke u mbikëqyrur nga EULEX-i me masa të rrepta sigurie.
Ai mbërriti në vendlindje tre ditë pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi, i cili u varros të martën, por atij nuk iu lejua pjesëmarrja në varrim nga Gjykata Speciale.
Nga EULEX-i dhe Gjykata Speciale nuk kanë treguar për Albanian Post se sa ditë do të qëndrojë Thaçi në Kosovë. Megjithatë, menjëherë pas përfundimit të vizitave të premten, ai u dërgua në selinë e EULEX-it.
Edhe jashtë oborrit të këtij institucioni, kishte qytetarë që brohorisnin “Thaçi, Thaçi”.
Refuzimi i Speciales shkaktoi reagime të shumta edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkoi që të mos shkeleshin të drejtat e të akuzuarve.
“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës”, kishte shkruar Haxhiu.

Gjatë qëndrimit te varri i babait, Thaçi vendosi një kurorë me lule, mbi të cilën shkruhej: “Te varri yt erdha i fundit, babe”.
Thaçi e takoi babanë për herë të fundit më 13 mars, kur i bëri vizitë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Njohësit e çështjeve të drejtësisë kanë kritikuar masat e rrepta të sigurisë ndaj ish-presidentit Thaçi./Demokracia