Tetë muaj burg për serbin që nxiti urrejtje në Gazimestan- Gjuriq nga Amerika akuzon Kurtin

- in Rajoni dhe Bota

Pas dënimit të Nikola Nedelkovic me 8 muaj burg, Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka reaguar duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Këtë dënim, Gjuriq e ka cilësuar si të motivuar etnikisht dhe shkelje e të drejtave të njeriut, ai shton se “është persekutim ndaj serbëve”.

“Lirimi i Nikola Nedeljkovic dhe të burgosurve të tjerë politikë serbë në Kosovë dhe Metohi është i domosdoshëm për procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka shkruar Gjuriq në Twitter.

Sipas tij, “nuk mund të ketë asnjë justifikim për një persekutim të motivuar etnik dhe shkelje të të drejtave të njeriut”, pretendon ai.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 qershor 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nikola Nedelkoviq, me arsyetimin se më 28 qershor 2022 në Prishtinë, në fshatin Bërnicë e Poshtme, derisa ishte duke u mbajtur manifestimi i Vidovdanit, i pandehuri me dashje në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, ka nxitur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet kombësive shqiptare dhe serbe.

Sipas aktakuzës, i njëjti kishte mbajtur flamuj me mbishkrime në gjuhën serbe “nuk dorëzohemi” dhe më pas ka bërë fotografi dhe ka bërë thirrje nacionalisht në gjuhën serbe “Vrite vrite shqiptarin, e gjithë Rusia, Kosova është Serbi”

/GazetaSinjali/