Gati bëhen 1 muaj prej kur Kosova ka nisur fazën e parë të vaksinimit anti-Covid. E për mënyrën e vaksinimit u shpreh dilema rreth testimit për COVID-19, para vaksinimit. Ish-drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani javë më parë e quajti gabim profesional vaksinimin e qytetarëve pa u bërë testimi për koronavirus por një gjë e tillë po kundërshtohet nga ekspertët e shëndetësisë në vend. Madje nga ministria e Shëndetësisë deklarojnë se nuk është parë e nevojshme që të testohen qytetarët para se ta marrin vaksinën anti-COVID, pasi kjo nuk është praktikuar as në vendet tjera të botës.
Sami Uka, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një përgjigje me shkrim i ka thënë KosovaPress-it, se tani për tani ashtu siç kanë vepruar vendet e tjera të botës edhe në Kosovë nuk është aplikuar testimi para vaksinimit.
Por nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të praktikohet një gjë e tillë.
“Lidhur me dilemën e ngritur për para vaksinimit duhet të theksojmë që CDC dekurajon testimin për antitrupa për vlerësimin e imunitetit pas marrjes së vaksinës. Personi i vaksinuar ka shumë gjasa që të marrë rezultat negative edhe pse vaksina ka qenë e suksesshme dhe mbrojtëse. Kjo ndodh për shkak se teste të ndryshme serologjike zbulojnë antitrupa kundër pjesëve të ndryshme të virusit. Kjo vlen njësoj edhe për testet serologjike para vaksinimit. Në anën tjetër testimi i rregullt para vaksinimit nuk është praktikë në asnjë vend për momentin dhe nuk është konsideruar e nevojshme. Duke pasur parasysh evoluimin e vazhdueshëm të njohurive mbi virusin dhe efektet e vaksinës dhe bazuar në praktikat më të mira në vendet e zhvilluara mbase edhe kjo mund të bëhet e nevojshme në ditët , javët apo muajt në vijim”, u shpreh Uka.
Specialistja për hulumtime të politikave globale shëndetësore, Hana Xhemajli testimin kundër COVID-19, para vaksinimit e konsideron vetëm një shpenzim kot.
Ajo thotë se një gjë e tillë nuk praktikohet askund në botë, prandaj ajo edhe shprehet kundër një mendimi të tillë.
Xhemajli: Testimi për COVID-19 para vaksinimit nuk është praktik
“ Jam çuditur kur e kam dëgjuar prej një mjeku këtë gjë unë besoj që është shpenzim koti që të bëhet një gjë e tillë. Nuk është praktik dhe as nëpër botë nuk është praktik dhe nuk ka diçka që është e testuar në shkencë e cila arsyeton një gjë e tillë. Para se me u vaksinua është një pyetësor që i ka pyetjet rigoroze kur ke pasur kontakt për herën e fundit, a ke pas virusin e të tjera është vetëm një kondit që mos me e marr vaksinën e që është nëse je vaksinuar me vaksinë të gripit duhet me pas një hapësirë kohore. Përndryshe, ajo praktik është diçka që unë jam shumë kundër është diçka që nuk duhet, më çuditi se si stafi mjekësor e thotë një gjë të tillë, është një dezinformat dhe nuk e përkrahi aspak”, tha Xhemajli.
Kundër kësaj ideje është shprehur edhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga AAK-ja, Shemsedin Dreshaj i cili thotë se një gjë e tillë nuk vlen.
Sipas tij, rëndësi ka që sa më parë të vaksinohet mbi 70 për qind e popullatës.
Dreshaj: Të vaksinohen mbi 70 përqind e popullatës, pastaj flasim për çështje tjera
“Mendoj që ne duhet ta arrijmë barrierën imunologjike në terren ta krijojmë imunitetin kolektiv që nënkupton që së paku 70 përqind e popullsisë duhet vaksinuar dhe pastaj mund të flasim për finesa tjera të cilat mund të na paraqiten në ndërkohë“, tha ai.
KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës por që ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Në Kosova po vazhdon vaksinimi i qytetarëve me dozat e AstraZenecas të cilat janë dhuruar nga COVAX. Deri tani janë vaksinuar rreth 21 mijë qytetarë, ndërsa në total ky donacion ka pas 24 mijë doza./B.Ibishi/KP