Tentim vrasja e 27-vjeçarit në Tavnik të Mitrovicës: Këta janë dy të dyshuarit, njëri arrestohet – tjetri në arrati

- in Lajme

Mbrëmjen e 20 janarit në rrugën “Shaban Polluzha” në Tavnik të Mitrovicës pati të shtëna me armë zjarri, ku nga një veturë në lëvizje dikush sulmoi me armë zjarri në drejtim të një 27-vjeçari. Ndonëse të dyshuarit kishin cak të riun, atë s’arritën ta qëllojnë dhe tentuan të ikin. Policia iu vu në ndjekje veturës së të dyshuarve, njërin prej të cilëve arriti ta kap.

Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarve, të cilët po hetohen për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Valdrin Jashari, 22-vjeçar, i cili tentoi t’iu shpëtojë prangave të Policisë, por pa u bërë dy orë u arrestua.

Jashari dhe i dyshuari tjetër Berat Salihu, i cili ndodhet akoma në arrati, fillimisht janë larguar me veturë, por pasi Policia i ka ndjekur, kanë dalë nga vetura dhe kanë ikur.

Zyrtarët policorë i kanë ndjekur edhe në këmbë të dyshuarit, por vetëm Jasharin e kanë kapur, me ç’rast i është sekuestruar edhe arma e përdorur në rast.

Ata po dyshohen se e kanë sulmuar viktimën, i cili ishte në veturën e parkuar para shtëpisë së tij, kur u përballë me sulmin nga të dyshuarit.

Motivet e rastit janë akoma të panjohura, por ajo që dihet është se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve që çojnë në kapjen edhe të dyshuarit tjetër.

Në anën tjetër, i dyshuari që u arrestua është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas ndaj tij Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim, për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/