Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje, gjë që vazhdimisht po e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative. Sinjali mëson se vetëm mbrëmë, në tri lokacione, dy në Prishtinë e një në Vushtrri, Policia ka kapur tre të rinj me armë.
Rasti i parë, sipas burimeve nga Prokuroria është zbuluar në Dumnicë të Vushtrrisë, pas një rasti ku kishte intervenuar Policia në atë fshat. Te një 37-vjeçar është gjetur një kallashnikov dhe dhjetëra fishekë, që janë konfiskuar nga zyrtarët policorë. Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për armëmbajtje pa leje.
Ndërsa dy rastet e tjera janë raportuar në Prishtinë, ku te dy të rinj, në lokacione të ndryshme, janë gjetur thika. Fillimisht në rrugën “Bajram Bahtiri”, ku në një pikë kontrolli, Policia ka ndaluar një 28-vjeçar, të cilit pas kontrollit policor, iu është gjetur arma e ftoftë. Njësiti policor e ka shoqëruar të riun në Polici, teksa thika iu është konfiskuar.
Ndërkohë pas mesnate, është kapur edhe i dyshuari tjetër, në rrugën “UÇK”, ku gjatë patrullimit të Policisë, është ndaluar një veturë, te shoferi i të cilës zyrtarët policorë kanë gjetur një thikë. Pas përfundimit të kontrollit, ai është dërguar në stacion, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit edhe ndaj tij është iniciuar rast.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“